Do paguajmë 2.5 milionë euro në vit për Aeroportin e Vlorës

Kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme diskutimet në Komisionin e Ekonomisë për projektligjin e ri që i hap rrugë nisjes së negociatave për kontratën e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se numri i pasagjerëve do të jetë 600 mijë pasagjerë në vit për 2-3 vitet e para. Rritja e pasagjerëve pritet që të jetë 7% në vit.
Ahmetaj tha se metodologjia që do të ndiqet për mbulimin e kostos së pasagjerëve do të jetë e njëjtë me atë të Aeroportit të Zagrebit. Sipas tij, parashikohet që kosto minimale e buxhetit për të subvencionuar trafikun e munguar do të jetë 2.5 milionë dollarë në vit, ndërsa nuk përmendi një shifër maksimale. Pjesën tjetër të riskut e merr përsipër vetë kompania.
Rritja e konkurrencës nga vënia në funksion e aeroportt të ri, pas heqjes së monopolit të Rinasit pritet që të ndikojë pozitivisht dhe në uljen e tarifave të biletave.
Ndërsa ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri ka përsëritur se qeveria po ndërmerr një risk minimal për projektin.
Skeptike për projektin ka qenë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Ajo ka pyetur dy ministrat se pse ky projekt nuk i nënshtrohet ky projekt ligjit të koncesioneve? Lidhur me garancinë sovrane për trafikun e munguar ajo shtoi se sipas rregullores së BE po thyhen rregullat se çdo ndikim financiar që vjen nga buxheti i shtetit që është në distancë më të vogël se 100 metra.
Një tjetër shqetësim i saj ishte mungesa e përvojës së kompanisë turke. “Duhet që të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë në operim, nuk e plotëson kjo kompani këtë kriter, tha Tabaku, duke shtuar se nuk është e qartë, se cila është baza ligjore në Kushtetutë që referohet për këtë marrëveshje.
Gjiknuri u përgjigj se u vendos që këtij investimi strategjik t’i jepet status i veçantë për të pasur transparencë më të madhe. Ky vendim tha ai bazohet në Kushtetutë. Lidhur me përvojën, Gjiknuri shtoi se konsorciumi ka ndërtuar disa aeroporte në Turqi, Stamboll, Aeroportin e Prishtinës etj.
Projektligji përcakton procedurën e veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës.
Vlera e ndërtimit të tij do të jetë 100 milionë euro dhe pritet të hapë 1,000 vende pune, ka pohuar Gjiknuri.
Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga komisioni i negociimit të kontratës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili kryesohet nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në përbërje të tij ka anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe përfaqësues nga institucione të tjera që gjykohen të nevojshme, i cili fillon negociatat brenda 45 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Komisioni i negocimit të kontratës negocion me shoqëritë “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction” propozimin e paraqitur prej tyre dhe përpilon projektkontratën finale, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave.

 

Artikulli paraprakNdërtohet për herë të dytë parkingu, Veliaj shpërdoron 3.4 miliardë lekë
Artikulli tjetërSkandali me Seitin, Marku do japë llogari në Parlament