Paguajmë çmimin më të shtrenjtë në rajon për karburantet, 1100 lekë taksë për litër

Jorida TABAKU

Sot, kushdo që ka një makinë paguan më shtrenjtë se rajoni çmimin e naftës dhe merr një naftë të një cilësie të dobët.
Praktikisht një makinë që do të furnizohet me 20 litra naftë, do t’i duhet të paguajë 3680 lekë nga e cila 2208 lekë (apo 60% e vlerës) i kalojnë shtetit në formë taksash apo tarifash.
Shkurt dhe shqip, qytetarët sot paguajnë naftën më shtrenjtë se në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi apo dhe Zvicër.
Shtrenjtimi i çmimit të naftës nuk është vetëm pasojë e rritjes së çmimit të naftës bruto në bursë, por është një investim personal i qeverisë e cila duke vendosur një shumëllojshmëri taksash dhe duke rritur tarifat e tjera kanë ndikuar në rritjen e çmimit.
Sipas të dhënave të Global Petrol Prices, ne paguajmë për një litër naftë çmimin e 184.03 lekë/litër ndërkohë që një belg paguan 183.53 lekë/litër, një zviceran 182.51 lekë/litër, një kroat 178.36 lekë/litër. Për ta thënë më shkoqur, ne paguajmë një litër naftë thuajse sa frëngu pulën.
Sikur kjo të mos mjaftonte, qeveria nisi të ndërmerrte një tjetër koncesion për t’i dhënë kontrollin e naftës një kompanie të paracaktuar.

Një koncesion që do t’i shtonte një tjetër taksë qytetarëve dhe atyre që kanë nga një makinë dhe që do t’i shtohej listës së gjatë të taksave dhe tarifave që fryjnë artificialisht çmimin e naftës; taksës doganore, akcizës, takës së qarkullimit (të rritur me 20 lekë/litër), taksës së karbonit, taksës së ngjyrosjes do t’i shtohet me gjasë edhe taksa e koncesionit të ri.
Një koncesion që falë ndërhyrjes së opozitës u tërhoq përpara se të bëhej një tjetër barrë e rëndë për të ardhurat e pakta të qytetarëve.
Tanimë është e qartë se ajo çfarë parashikuam për taksat e vendosura nga një mazhorancë e papërgjegjshme po kthehet në një peshë të rëndë për qytetarët. Pasi sot ne paguajmë 110 lekë taksa në çmimin prej 184 lekësh që blejmë një litër karburant.
Një peshë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve dhe uljen e konsumit për shkak të shtrenjtimit të ofertës dhe pamundësisë së të ardhurave. Kjo do të shoqërohet me mbyllje qepenash pasi biznesi do të kthehet në pamundësi.
E vetmja rrugë për uljen e çmimit të naftës është një politikë e re fiskale që mbron dhe stimulon konsumin, që mbron qytetarët nga abuzimet dhe krijimi i monopoleve private me bekimin e qeveritarëve që i zotërojnë ato.
Ka ardhur koha që shqiptarët të paguajnë më pak për çmimin e një litre naftë dhe kjo mund të arrihet vetëm në sajë të politikave fiskale të qeverisë demokratike. Taksë e sheshtë dhe thjeshtim fiskal në shërbim të konsumit dhe qytetarëve

Exit mobile version