Paguan kamatën e energjisë, OSHEE nuk ia heq emrin nga sistemi

Ismet Izeti prej vitesh kishte dy fatura energjie pa paguar dhe në vitin 2015 bën pagesën përmes bankës. Prej dy vitesh, OSHEE nuk ia heq emrin nga sistemi, por një gjë e tillë e penalizon zotin Izeti, pasi ai nuk mundet të kalojë kontratën nga statusi “privat” në “familjar”. Pas interesimit të emisionit “STOP”, punonjësit e OSHEE fillimisht thonë se, nuk e kanë shkresën e pagesës së kamatës, ndërsa më pas thuhet se zoti Ismet Izeti nuk ka paguar kamatën e kamatës.
“Kam patur dy fatura pa paguar, ishin harruar. Me bankë u paguan sipas rregullit, gjithashtu dhe kamata. Kam që në 2015 deri më sot nuk ma hiqet nga sistemi dhe kjo bëhet pengesë për çfarëdo lloj problemi që kam unë. Përshembull, tani kam një problem, dua që çmimin privat ta kaloj në atë familjar, sepse deri më 31 dhjetor e kam pasur me qira dhe kanë ikur. Vij këtu thonë nuk bëhet, sepse duhet të hiqen nga sistemi faturat dhe kamatat, pastaj të bëhet kjo. Vij në tetor 2016 dhe më thonë zotërinjtë që përsërit edhe një herë ankesën dhe mbase e heqin. E përsërita e deri më sot nuk është hequr nga sistemi”, thotë Izeti.
Ismet Izeti shprehet se ka shkuar shpesh pranë zyrave të OSHEE për të parë, nëse ia kanë hequr emrin nga sistemi, por vazhdon të qëndrojë edhe pse është ankuar shpesh herë. Punonjësit e OSHEE i thonë t’i drejtohet Drejtorisë, pasi ekziston një bord që merret me këto probleme. “Tani unë s’e heq dot, këta s’e heqin dot, bordi po e po që s’do t’ia dijë!”, thotë ai.
Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” i drejtohet Kujdesit ndaj Klientit, në zyrat e OSHEE. Gazetarja e emisionit “STOP” shprehet se pas interesimit për çështjen e Ismet Izetit, ka patur tre përgjigje të ndryshme. Në fillim u tha se, Ismeti i ka paguar faturat dhe kamatë-vonesat, më pas rezultoi se ai nuk ka paguar kamatë-vonesat dhe në fund u përgjigjën, se ai është debitor dhe nuk do t’i hiqet emri nga sistemi, sepse ka paguar me vonesë kamatë-vonesat dhe tanimë duhet të paguajë kamatën e kamatë-vonesave.
“Në fakt, ka dy vjet që kur kam bërë ankesën e parë dhe ankesën e dytë para një viti, nuk më ka thënë njeri që ke kamatë mbi kamatë për të paguar. Nuk di si të veproj me këta njerëz që nuk kthejnë asnjë përgjigje për dy vjet”.
Ismet Izeti më në fund mori një përgjigje të saktë nga OSHEE, edhe pse do t’i duhet të paguajë kamatë për kamatë-vonesat, të paktën do të mund të heqë emrin nga sistemi i debitorëve dhe do të mund të zgjidhë problemet e tij.

Artikulli paraprakGrabitje në mes të ditës tek kodrat e liqenit në Tiranë
Artikulli tjetërZbulohen mijëra bimë kanabis në Vlorë, policia: Mbinë vetë!