Do paguani 1.5 miliardë euro taksa në 2018 për haremin kryeministror

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mbrëmë buxhetin e shtetit për vitin 2018. Buxheti u miratua me 74 voto pro.
Por, sa janë taksat që pritet të paguajnë individët dhe bizneset për të siguruar 464 miliardë lekë, ose 3.3 miliardë lekë, sa është shuma që parashikohet të mblidhet në buxhet, sipas të dhënave zyrtare nga tabelat e projektbuxhetit 2018.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), një taksë që paguhet nga konsumatori në çmimin fundor të mallit ose shërbimit, është zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me 33.5% të totalit, sipas parashikimit në projektbuxhetin 2018. Nga TVSH pritet të arkëtohen rreth 1.1 miliard euro. Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së në rajon, me 20%, së bashku me Serbinë.
Zëri i dytë janë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që së bashku zënë 19.2% të totalit të të ardhurave të pritshme, ose 544 milionë euro.
Akciza është kategoria e tretë, që siguron 9% të të ardhurave, ose 364 milionë euro. Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro.
Pas akcizës renditen taksa nacionale (renta etj.), tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimfitimi që sjellin përkatësisht rreth 8.5, 8.2 dhe 7.5% të totalit.
Si tatim mbi të ardhurat personale, individët pritet të paguajnë 272 milionë euro, apo rreth 8.2% më shumë sesa pritet që të paguajnë këtë vit. Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Edhe tatimi nga të ardhurat e tjera (qiraja etj) është 15% për gjithë individët shqiptarë. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Serbia, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%, ndërsa të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15%. Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%. Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%). Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.
Përmes TVSH-së e akcizës që janë taksa indirekte mbi konsumin dhe tatimit direkt mbi të ardhurat personale, individët do paguajnë gjithsej 1.7 miliardë euro, ose gjysmën e totalit të të ardhurave që pritet të mblidhen në buxhet.
Bizneset do të paguajnë si tatim fitim në 2018-ën rreth 250 milionë euro, çka nënkupton që fitimet e sipërmarrjeve vitin e ardhshëm pritet të jenë rreth 1.8 miliardë euro.

21 milionë euro do të paguhen për taksën e pronës

Në buxhetin e vitit të ardhshëm, shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone.
Këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në draftin e saj të buxhetit të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro.
Sipas tabelave të reja të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit.
Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, taksa mbi pronën do të pësojë ndryshime të dukshme. Financat kanë aktualisht një draft me ndryshime në ligjin “Për taksat vendore”, ku mes të tjerave është vendosur që taksimi mbi pronën të bëhet në bazë të vlerës së tregut. Aktualisht e njëjta taksë, llogaritet në bazë të sipërfaqes së banesës pra metër katror herë një vlerë fikse që ndryshon sipas tre zonave në vend.

Rritje qesharake për pensionet, 3.7 miliardë euro për shpenzimet e qeverisë

Qeveria shqiptare pritet që të shpenzojë gjatë vitit 2018 rreth 497 miliardë lekë (rreth 3.7 miliardë euro) për pagat e punonjësve, pensione, shpenzimet administrative të përditshme, investime në rrugë, shkolla, rikonstruksione, mbështetje për pushtetin lokal, interesa borxhi e pagesa papunësie.
Sipas tabelave paraprake të draft buxhetit 2018, shpenzimet pritet të rriten me 5.8% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Në krahasim me atë që prodhon ekonomia në një vit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 30.1% e PBB-së.
Teksa e gjithë administrata është përfshirë në një proces të ethshëm ristrukturimi, nisur dhe nga riorganizimi i ministrive, buxheti nuk duket se do të arrijë të kursejë për të paguar punonjësit. Fondi i planifikuar për pagat është 65 miliardë lekë, me një rritje me 10.5% në krahasim me 2017-ën. Kjo do të thotë që buxheti do të shpenzojë 6.1 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë euro më shumë për punonjësit.
Në buxhetin afatmesëm, i cili është hartuar në fillim të 2017-ës, përpara se qeveria e dalë pas zgjedhjeve të qershorit të deklaronte planet e saj të riorganizimit, fondi i parashikuar për paga për 2018-ën ishte parashikuar të arrinte në 60.8 miliardë lekë, pra rreth 4.2 miliardë lekë më pak sesa u vendos aktualisht.
Në të kundërt, është ulur ndjeshëm fondi i planifikuar për politika të reja pagash, nga 5.5 miliardë lekë në 2017-ën, në vetëm 1 miliard lekë në draft buxhetin 2018. Në projektbuxhetin e mëparshëm afatmesëm, si fond për politika të reja pagash në vitin 2018 ishte parashikuar një shumë prej 7.2 miliardë lekësh.
Edhe fondi për politika të reja pensionesh është ulur në 1.8 miliardë lekë, nga 2.6 miliardë lekë në 2017-ën dhe 3.1 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin fillestar afatmesëm (për 2018-ën).

“Monitor”

Artikulli paraprakRreziku më i madh për ekonominë globale
Artikulli tjetërGjermania dhe SHBA duan kokën e “peshqve të mëdhenj”