Pajisi me armë njeriun e Lul Berishës, lihet i lirë nënkomisari i Durrësit

Nënkomisari Gjergji Azisllari është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit në Durrës, e cila dha dje për të masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Specialisti për Hetimin e Krimeve në Plazh-Durrës, Gjergji Azisllari u arrestua më datë 18 tetor me akuzën se pajisi me armë shtetasin Genti Nderjaku, e cila u gjet në makinën e Mariel Fierzës, kur u arrestuan nga Policia e Durrësit.
Ndrejaku u arrestua në Durrës bashkë me Mariel Fierzën, i dyshuari si anëtar i bandës së Lulzim Berishës, ku deklaroi para trupit gjykues se armën, të cilën ia bllokoi policia, e mbante me leje.
Arrestimi i Genti Nderjaku dhe Mariel Fierza (njeri i Lul Berishës). Shtetasi i mësipërm u arrestua nga Policia e Durrësit gjatë një operacioni të zhvilluar në fillim të tetorit, në kuadër të operacionit policor “Vjeshtë 2017”.
Në këtë operacion u arrestua edhe Mariel Fierza, si dhe u sekuestruan 2 armë zjarri, një makinë dhe disa telefona celularë. Pas veprimeve proceduraiale të SHÇBA-së rezultoi se i arrestuari është person me rekorde kriminale, por kishte ndryshuar gjeneralitetet. Punonjësi i Policisë Azisllari nuk ka kryer verifikimin në sistem sipas procedurave standarde të punës.
Gjatë hetimit ka rezultuar se po ky punonjës policie kishte përpiluar të njëjtin lloj vërtetimi edhe për shtetasin A.M., i cili gjithashtu rezulton me rekorde kriminale në të dhënat e Policisë së Shtetit.
SHÇBA ka nisur një inspektim në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë për procedurat e ndjekura nga strukturat përgjegjëse, për pajisjen me leje për blerje dhe mbajtje të armëve të zjarrit. SHÇBA ka në dispozicion numrin falas 0800 90 90 për denoncime për çdo qytetar, kur konstaton shkelje apo abuzime nga punonjës të Policisë.

Artikulli paraprakDroga në burgun e Brescias, furnizuesit ishin shqiptarët
Artikulli tjetërDëshmia e Nezar Seitit: Lidhja me Habilajt dhe takimet në Itali