Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka ka zbuluar disa detaje nga e ashtuquajtura pajisje e përgjimit, që sipas opozitës përdoret nga Policia e Shtetit. Në mbledhjen e djeshme të komisionit, Noka tha se pajisja kushton 800 mijë euro dhe mbahet në Akademinë e Rendit. “Pajisja ekziston e ka hyrë në mënyrë të paligjshme. Duam të dimë si ka funksionuar. Pajisja ka specifikë se përpos se përgjon ka një element tjetër, të përgjon edhe me telefon të fikur. Përdor telefonin si mikrofon”, deklaroi Noka. Sipas Nokës, ministri e pranoi që pajisja ekziston dhe kjo çështje përbën një skandal kombëtar. “Dje mbledhja u la përgjysmë se të majtët u larguan. Gjykuam që çështja është madhore e përbën skandal kombëtar. Kemi fakte se Presidenti pranoi ekzistencën e pajisjes. Patëm mundësi të shohim ministrin e Brendshëm që e pranoi se pajisja ekziston, por dha disa versione”, deklaroi Noka. Komisioni i Sigurisë ka votuar që të thirren në seancë dëgjimore të gjithë personat që kanë dijeni për të ashtuquajturën pajisje përgjimi. Me të gjitha votat pro, komisioni vendosi që gjatë mbledhjes së sotme të vijnë për të dëshmuar personat që kanë informacion për përgjimet, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtori i policisë, Haki Çako, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika dhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Gjatë debateve, deputeti i LSI, Luan Rama ka shprehur shqetësimin mbi përplasjen e deklaratave të ministrit të Brendshëm dhe Presidentit të Republikës, ndërsa ka theksuar rëndësinë e një hetimi të pavarur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. “Ministria e Brendshme e policia duhet të respektojnë kuadrin ligjor. Ka mospërputhje mes deklaratave të ministrit dhe Presidentit. Deri kur të ketë qëndrim të Prokurorisë prezumohet pafajësia. Këtë e ndan hetimi i pavarur i Prokurorisë. Jam shprehur dakord për seancën dëgjimore. Më parë të vijë kreu i shërbimit sekret”, është shprehur Luan Rama. Nga ana e tij, Noka ka theksuar se Tahiri lëviz me makinë të blinduar dhe se Prokurori nuk mund të informojë komisionin për këtë çështje. Ndërkohë, Luan Rama theksoi se implikimi i Interforcës është një shkelje ligjore e rëndë nëse ka ndodhur. “Nuk besoj se ka ndodhur kjo gjë. Të shkojmë deri në fund të vërtetës”, tha Luan Rama. Menjëherë pas tij, reagoi deputeti Pirro Lutaj, i cili kërkoi edhe një herë modifikimin e kërkesës për thirrjen e autoriteteve përkatëse që do të referonin në komision. Në reagimin e tij, deputeti demokrat Asllan Dogjani theksoi se Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë shkelur Kushtetutën duke marrë një kompetencë që nuk i takon këtyre dy institucioneve, por Prokurorisë së Përgjithshme. Pajisja në fjalë përgjon të gjithë rrjetet sociale që ka smartphone. Ndryshe nga pajisjet e tjera të përgjimit, kjo ka antenë falso, e cila përforcon valët e telefonit. “Problemi është se nuk duhet të hyjmë kaq thellë, por kjo pajisje është kapur në punë. Janë përgjuar, sepse janë kapur frekuenca”. Deputeti demokrat, Flamur Noka, e ka cilësuar një skandal dhe krim të rëndë shtetëror, pajisjen e përgjimit, për të cilën është folur gjerësisht dy ditët e fundit. Në një prononcim mediatik, Noka tha se sipas ligjit për përgjimet, ky atribut i takon Prokurorisë së Përgjithshme dhe jo ndonjë institucioni tjetër. Sipas deputetit demokrat, me këtë pajisje përgjimesh, cenohet rëndë siguria kombëtare, si dhe cenohen të drejtat e liritë e qytetarëve. “Nisur nga informacionet mediatike apo jo mediatike, u shqetësuam dhe e përcollëm këtë në komision. Kërkuam seancë dëgjimore me ministrin, kreun e SHISH dhe kryeprokurorin. U pranua se ekziston një pajisje e tillë, por sipas ministrit Tahiri, përdoret për çështje trajnimesh. Është një rast i paprecedentë që të futet kështu në vend një pajisje e tillë e paligjshme. Nuk ka bërë vaki në gjithë vitet e pluralizmit kjo gjë. Në përpëlitje për të shpëtuar nga kjo histori, thonë se është pajisje për trajnim. Unë kam qenë ministër i Brendshëm, por edhe kushdo që e njeh ligjin për përgjimet, thotë se atributi i përgjimeve i takon Prokurorisë së Përgjithshme. Mund të iniciojnë institucionet e ndryshme, por duhet miratimi i prokurorit të Përgjithshëm. Por edhe ky i fundit duhet të marrë konfirmimin e gjykatës për hetime në kohë të gjatë. Çfarë trajnimi u bëka me një pajisje që nuk përdoret për përgjim? Ky është skandal, është një krim i rëndë shtetëror, një krim i paprecedentë. Në rast se deri sot kemi ecur mbi bazën e aludimeve, por sot flasim ndryshe, kur e pranon ministri, pasi cenohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo pajisje e instalua në një institucion të paligjshëm sa i takon përgjimit, përbën krim. Të gjithë ata që kanë konsumuar këtë vepër penale, këtë krim, do të përgjigjen para ligjit. Në SHBA ka ndodhur një skandal i ngjashëm me këtë që po flasim ne dhe ka dhënë dorëheqjen një President, pasi cenohet rëndë siguria kombëtare”.
Debatet në komision, pajisja përgjon edhe kur telefoni është fikur
Flamur Noka: Jemi të shqetësuar për cenimin e sigurisë kombëtare. Presidenti ngriti shqetësimin, kërkoi hetim. Pajisja ekziston në mënyrë të paligjshme, kushton 800 mijë euro. Të përgjon me telefon fikur.
Qefalia: A ka pasur më parë pajisje?
Luan Rama: Ministria e Brendshme e policia duhet të respektojnë kuadrin ligjor. Ka mospërputhje mes deklaratave të ministrit dhe Presidentit. Deri kur të ketë qëndrim të Prokurorisë prezumohet pafajësia. Këtë e ndan hetimi i pavarur i Prokurorisë. Jam shprehur dakord për seancën dëgjimore. Më parë të vijë kreu i shërbimit sekret.
Noka: Ministri lëviz me makinë të blinduar. Prokurori nuk mund të vijë për të informuar për këtë çështje.
Luan Rama: Implikimi i Interforcës është një shkelje ligjore e rëndë nëse ka ndodhur. Nuk besoj se ka ndodhur kjo gjë. Të shkojmë deri në fund të vërtetës.
Pirro Lutaj: Ne nuk kemi ikur nga komisioni, por donim të modifikohej kërkesa për thirrjen e personave këtu. Thirrja e prokurorit e kufizuar.
Asllan Dogjani: E drejtë e përgjimit vetëm e Prokurorisë. Ështe shkelur Kushtetuta.
Arben Çuko-Nokës: Je bërë agronom, inxhinier elektronik, specialist i midhjes dhe i peshkut.
Arben Shahini