Pajisja e përgjimit, Basha: Uzurpim mafioz i shtetit, Edi Rama është përgjegjësi direkt

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar direkt Kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për pajisjen ilegale të përgjimit që ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se qytetarët kanë nevojë të mësojnë të vërtetën dhe për këtë arsye opozita ka thirrur nesër në Komisionin e Sigurisë ministrin Tahiri, kryeprokurorin Llalla, kreun e SHISH dhe drejtorin e Policisë së Shtetit.

“Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e prokurorisë njëlloj siç veprojnë organizatat kriminale. Në një vend ku skandali i zë vendin skandalit, ky skandal zë vendin e parë, përgjegjësia shkon drejtpërdrejt tek Rama. Përpjekjet e tij për të larguar vëmendjen nga skandali, janë një konfirmim më shumë se gjendet përpara një mine të madhe paligjshme.

Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit. Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krimin, të një shteti mafioz mbi shtetin, që nënkupton asgjësimin e Republikës”, deklaroi Basha.

Exit mobile version