Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për ekzistencën e një pajisje përgjimi në Policinë e Shtetit të paautorizuar. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije për Ora News se, proçedimi për çështjen ka nisur para dy ditësh. Hetimi i Prokurorisë ka nisur pas publikimit të një shkrimi në media ku ndër të tjera shkruhej se, një pajisje përgjuese tepër e sofistikuar është instaluar prej më shumë se një muaji në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke vënë në alarm institucionet e sigurisë. Pajisja nuk rezulton e regjistruar në asnjë regjistër zyrtar apo dokument tjetër të institucioneve të Sigurisë. Për këtë çështje ka reaguar edhe Kreu i Shtetit Bujar Nishani. I pyetur nga mediat, Presidenti Nishani tha se kjo çështje mbetet për t’u hetuar. “Nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për asnjë arsye dhe për asnjë çështje. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar një pajisje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar”, u shpreh Nishani.
Skandali i pajisjes përgjuese nga Policia e Shtetit pa autorizim nga Prokuroria u publikua para tre ditësh nga gazeta “Mapo”, me titull: Pajisja misterioze e paautorizuar nga Prokuroria: Kë po përgjon Tahiri”? “Një pajisje përgjuese tepër e sofistikuar është instaluar prej më shumë se një muaji në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme, duke vënë në alarm institucionet e sigurisë. Pajisja nuk rezulton e regjistruar në asnjë regjistër zyrtar apo dokument tjetër të institucioneve të sigurisë. Jo zyrtarisht, policia thotë se kjo pajisje përdoret për qëllime trajnimi nga Policia e Shtetit”, shkruante gazeta.
Historia që është në limitet e skandalit, ka nisur rreth një muaj më parë, kur institucionet e inteligjencës shqiptare kanë rënë në dijeni të një informacioni se policia shqiptare përdor një pajisje përgjimi të paregjistruar dhe të paautorizuar nga Prokurori i Përgjithshëm.
Informacioni i është dërguar Presidentit të Republikës dhe Prokurorit të Përgjithshëm, i cili mësohet se është vënë në lëvizje për të verifikuar vërtetësinë e tij.
Nëse informacioni i inteligjencës se kjo pajisje është përdorur për të kryer përgjime të paligjshme do të rezultojë i vërtetë, atëherë ky mund të përbëjë një skandal shumë herë më të madh se ai që dyshohet se ka ndodhur me pajisjet e përgjimit të Ministrisë së Mbrojtjes, pak vite më parë.
MAPO kontaktoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por burime pranë saj thanë se, Prokuroria nuk mund të bëjë asnjë koment për këtë çështje. Mapo gjithashtu kontaktoi zyrtarisht edhe Policinë e Shtetit dhe mori si përgjigje se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nuk ka asnjë pajisje të tillë përgjuese.
Por pavarësisht këtyre qëndrimeve institucionale, gjithçka është konfirmuar nga zyrtarë të Policisë, të cilët pohojnë se pajisja përdoret për qëllime trajnimi edhe pse me të mund të kryhen përgjime të paligjshme, pasi vetë policia nuk ka tagrin për të përgjuar pa marrë më parë miratimin e prokurorit.
Sipas burimeve, mësohet se pajisja që shërben për zbulimin e personave në kërkim i është dhënë policisë shqiptare nga ana e homologëve italianë. Ajo është futur pa u regjistruar në doganë dhe është instaluar në zyrat qendrore të Policisë, ku thuhet se përdoret për qëllim trajnimi të agjentëve dhe oficerëve të Policisë.
Por pavarësisht këtij qëndrimi të drejtuesve të Policisë është fakt se për këtë pajisje nuk ka dijeni asnjë prej institucioneve dhe krerëve të Sigurisë Kombëtare, pasi ajo nuk rezulton e regjistruar askund.
Po ashtu, për ekzistencën e saj nuk është vënë në dijeni as Prokurori i Përgjithshëm, i cili është autoriteti i vetëm që mund të autorizojë kryerjen e përgjimeve. Por burimet konfirmojnë jo vetëm praninë dhe instalimin e saj në zyrat e Policisë qendrore, por edhe faktin se kjo pajisje është ndër më të sofistikuarat dhe ajo mund të përdoret për çdo lloj interceptimi telefonik. Ndërkohë, mësohet se kjo pajisje e paautorizuar përgjimi është instaluar në ambientet e Policisë.