Kur kishin kaluar vetëm pak orë pas regjistrimit në Gjykatë të lëvizjes së saj, Topalli nga studio e një televizioni bëri thirrje për bashkim rreth Ramës. Sipas Topallit, pandemia duhet të bashkojë politikën dhe jot a ndajë atë.
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli nuk nguroi të fliste këtë të hënë në emisionin “Quo Vadis” për situatën e shkaktuar nga pandemia.
Në këto kushte, Topalli deklaroi se forcat politike duhet të bashkëpunojnë më shumë se kurrë për të gjetur një rrugë për përballimin e pasojave të përhapjes së Covid.
“Do kisha dashur shumë që një kohë të një krizë të tillë dhe të një ndjesie trishtimi, frike që njerëzit natyrshëm kanë për të mbrojtur familjarët e tyre, për të kapërcyer këtë pandemi që ndoshta ndodh një herë në shekull, ndoshta edhe më rradhë, do kisha dashur që të paktën forcat politike të bashkëpunonin për të gjetur rrugën më të mirë për të përballuar së bashku. Tek pandemia nuk ndahemi të majtë, të djathtë, të qeverisë apo të opozitës.”
E pyetur nëse kjo periudhë po shfrytëzohet politikisht, Topalli tha: “Gjëja e fundit që në këto kushte që duhej të ndodhte do ishte shfrytëzimi politik i pandemisë për arsye elektorale. Kjo është e papranueshme, nuk është etike dhe nuk duhet të ndodhte. Dhe unë do i ftoja që të gjithë që në kushtet e një krize sanitare duhet të jemi të gjithë bashkë për të ndihmuar njëri tjetrin, dhe vendin tonë për t’u shëruar.
Ka kohë për cdo gjë, për politikë, për gjërat që mund të shfrytëzohen politikisht, ka 1000 gjëra që mund të shfrytëzohen politikisht, ka 1000 probleme vendi ynë me të cilat duhet të ishin bërë kauza politike, por e vetmja gjë për të cilën nuk duhet të luajmë politikisht është sëmundja, pasiguria dhe jeta e njeriut. Këtu ka një stop dhe thuhet një boll. Se ke sa të duash për të cilat mund të kishe folur dhe mund të kishe bërë beteja.”