Paketa e Ramës për reformën: Burg deri në 3 vite për gazetarët

Pas dështimit të përpjekjeve për të kriminalizuar shpifjen ndaj politikanëve dhe gazetarëve duke vendosur një dënim me tri vite burg, Rama nuk tërhiqet, por hedh një tjetër hap drejt synimit të tij. Përmes një neni të posaçëm në draftin e ndryshimeve të Reformës në Drejtësi, Rama ka urdhëruar futjen e një neni të posaçëm që burgos me tre vite gazetarët.
Ky ligj konsiston në punën dhe veprimtarinë e SPAK, strukturës së prokurorëve që krijohet me ndryshimet e reja në Kushtetutë. Sipas këtij projektligji, gazetarëve u ndalohet ndërhyrja në punën e SPAK dhe në rast të kundërt, pra investigimit të veprimtarisë së kësaj strukture, dënimi shkon deri në 3 vite burg.
Projektligji për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar apo i njohur ndryshe, si ligji i SPAK-ut, i cili sapo ka mbërritur në Kuvend për t’u shqyrtuar në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, ka ngjallur shqetësimin e gjithë shoqatave kombëtare të gazetarëve për cenimin e pavarësisë së tyre.
Neni 13, pika 3 e këtij projektligji, që përcakton pavarësinë e prokurorëve të Prokurorisë së posaçme, specifikon se, “çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër, që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj. Për këtë lloj vepre, Kodi Penal parashikon një dënim, deri në 3 vjet burg”.
“Ky nen ka vënë në alarm gazetarët dhe mediat shqiptare, që e konsiderojnë atë si një censurë të re, ndaj lirisë së medias, që po kërkon të vendoset me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë. Mediat dhe shoqatat e gazetarëve kanë reaguar ashpër për projektligjin kundër lirisë së mediave që pritet të votohet nga Kuvendi si pjesë e draftit me ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Mediat kanë kundërshtuar ashpër këtë projektligji që synon të minojë lirinë e medias dhe dënon gazetarët nëse kryejnë punën e tyre. Shoqatat e Gazetarëve kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë që të mos votojnë këtë projektligj.
Shoqatat e Gazetarëve e konsiderojnë këtë projekt, jo si pjesë e një reforme që synon të luftojë krimin dhe korrupsionin, por si një nen të jashtëzakonshëm që kërkon t’i mbyllë gojën medias së lirë, të instalojë një gjendje censure në vend dhe të vendoset mbi Kushtetuën, që garanton liri të plotë të fjalës në Shqipëri”, thuhet në reagim. Për gazetarët shqiptarë, ky nen është një akt selektiv, pasi për veprën penale të presionit apo shantazhit, Kodi Penal përcakton të gjitha rastet në bazë të të cilave çdo individ ka të drejtë të padisë këdo, përfshi edhe gazetarët. Prandaj specifikimi për mediat, është një akt i pastër censure dhe me rrezik për demokracinë. Është një kthim pas, kur fjala dhe mendimi i lirë konsideroheshin agjitacion dhe propagandë.
Termi i përdorur në nenin 13, “influencë e papërshtatshme”, krijon hapësirë për çdo lloj interpretimi për të kërkuar dënimin e gazetarëve. Mjafton që një prokuror ta cilësojë si të papërshtatshme raportimin e një media dhe gazetari të gjendet përpara bankës së të akuzuarit. Shoqatat e Gazetarëve i bëjnë thirrje deputetëve shqiptarë të heqin menjëherë këtë nen regresiv nga projektiligji dhe mos ta kalojnë për votim në Kuvend, pasi përbën një kërcënim të hapur për lirinë e shprehjes dhe si i tillë, nuk mund të diskutohet e aq më pak të votohet në një vend që synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Në deklaratën e tyre, Shoqatat e Gazetarëve lajmërojnë se këtë projekt të paprecedent do të njoftojnë organizatat më të mëdha për mbrojtjen e lirisë së medias në botë. Ky nen, konsiderohet si rikthim në periudhën e komunizmit në media.

Rama tentoi një vit më parë të kriminalizonte shpifjen

Në nëntor të vitit 2015, Rama tentoi të kriminalizonte shpifjen ndaj politikanëve dhe gazetarëve duke e dënuar atë me deri tri vjet burg duke propozuar një ndryshim në Kodin Penal. Projektligji i qeverisë është firmosur nga ministrja për Marrëdhënien e Parlamentit, Ermonela Felaj, me nismë të Kryeministrit Edi Rama. Ndërhyrja synonte të kryhej në seksionin e Kodit Penal që flet për “Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit” në kreun “krime kundër autoritetit të shtetit”. Sipas propozimit: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”. Sipas relacionit, “Ky projektligj vjen si propozim i Kryeministrit. Arsyeja e propozimit të kësaj dispozite është ajo e penalizimit të cilitdo që, duke abuzuar me lirinë e shprehjes, përhap qëllimisht, me çfarëdolloj mjeti dhe mënyre, shpifje ndaj një zyrtari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, të natyrës të tillë që i ngarkon këta të fundit me fakte që ligji penal i parashikon si vepra penale”. Por reagimi i ashpër i opozitës, komunitetit të medias dhe atij ndërkombëtar bëri që Rama të tërhiqej nga kjo nismë për të vijuar ndërkohë përpjekjet e tij në rastin e parë që do t’i vinte, siç është edhe rasti konkret, ai i ligjit të SPAK.

Basha: Ky nen-gijotinë do të bjerë, do të ndalet nga PD

Kreu i PD, Basha paralajmëroi dje në mënyrë të prerë se PD nuk do të lejojë që neni që parashikon burg për gazetarët të miratohet. Përmes një deklarate për mediat, Basha dënoi ashpër përpjekjet për rikthimin e dënimit me burg për gazetarët, e ligjëruar kjo përmes një neni të posaçëm në ligjin për veprimtarinë e prokurorëve. Basha akuzoi Ramën si autor të këtij neni ndërsa kërkoi të bëhet transparenca se si u fut ky nen në draftin e ligjit të SPAK.
Basha garantoi gazetarët se ky nen do të bjerë ndërsa i ftoi ata të hetojnë rreth autorëve dhe përpjekjeve për ligjërimin e censurës ndaj shtypit dhe fjalës së lirë.  “Nuk ka dyshim se Edi Rama fshihet pas djallëzisë së nenit 13 të ligjit për aktivitetin e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, që hap derën e një censure të paprecedent, duke parashikuar dënimin e gazetarëve.
Direkt me dorën e tij apo të ndonjë xhafe, Edi Rama ka parashikuar qelinë për ndonjë gazetar që bën shkrim ose mban qëndrim të papërshtatshëm. Sigurisht, kjo masë nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi. Është një standard i juntave të korruptuara.
Ky nen s’do të kalojë kurrë, sepse do të ndalet nga Partia Demokratike. Por është shumë e rëndësishme të zbardhet e plotë skema se si erdhi ky nen, kush e shkroi, kush zbatoi porosinë politike.
epse futja në draft është shprehje e vullnetit të mbrapshtë, një ide që ka zënë rrënjë në kokën e të sëmurit të Surrelit. Duhet transparencë e menjëhershme për këtë tentativë për të shkelur një prej lirive kryesore e themelore të demokracisë.
Unë i siguroj gazetarët dhe përfaqësuesit e medias se ky nen-gijotinë do të bjerë, por i ftoj ata të hetojnë të vërtetën rreth kësaj përpjekje për censurë me ligj”, thotë kreu i PD, Basha në reagimin e tij.

Një akt i pastër censure,  rrezik për demokracinë

Organizatat më të mëdha të gazetarëve në Shqipëri janë njohur me nenin 13 të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, pjesë e paketës për Reformën në Drejtësi.
Ky nen ka shkaktuar një shqetësim të madh dhe ka vënë në alarm mediat shqiptare për një censurë të re që po kërkon të vendoset me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas këtij neni, “çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër, që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndalohet dhe dënohet me ligj”. Dhe dënimi në Kodin Penal për këtë lloj vepre shkon deri në tri vite burg.
Shoqatat e Gazetarëve e konsiderojnë këtë projekt jo si pjesë e një reforme që synon të luftojë krimin dhe korrupsionin, por si një nen të jashtëzakonshëm që kërkon t’i mbyllë gojën medias së lirë, të instalojë një gjendje censure në vend dhe të vendoset mbi Kushtetutën, që garanton liri të plotë të fjalës në Shqipëri.
Për gazetarët shqiptarë, ky nen është një akt selektiv pasi për veprën penale të presionit apo shantazhit, Kodi Penal përcakton të gjitha rastet në bazë të të cilave çdo individ ka të drejtë të padisë këdo, përfshi edhe gazetarët.
Prandaj specifikimi për mediat, është një akt i pastër censure dhe me rrezik për demokracinë. Është një kthim pas, kur fjala dhe mendimi i lirë konsideroheshin agjitacion dhe propagandë.
Termi i përdorur në nenin 13, “influencë e papërshtatshme”, krijon hapësirë për çdo lloj interpretimi për të kërkuar dënimin e gazetarëve. Mjafton që një prokuror ta cilësojë si të papërshtatshme raportimin e një media dhe gazetari të gjendet përpara bankës së të akuzuarit.
Shoqatat e Gazetarëve i bëjnë thirrje deputetëve shqiptarë të heqin menjëherë këtë nen regresiv nga projektligji dhe mos ta kalojnë për votim në Kuvend. Ai përbën një kërcënim të hapur për lirinë e shprehjes dhe si i tillë nuk mund të diskutohet e aq më pak të votohet në një vend që synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
Shoqatat e Gazetarëve do të njoftojnë për këtë projekt të paprecedent organizatat më të mëdha për mbrojtjen e lirisë së medias në botë.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë – Armand Shkullaku
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë – Aleksandër Çipa
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë  – Ylli Rakipi
Shoqata e Mediave Elektronike Shqiptare – Aleksandër Frangaj

Artikulli paraprakPërgjaket dasma në Fier, të ftuarit qëllohen me thika
Artikulli tjetërQeveria, 15 milionë euro në vit për bileta avioni