Parlamenti italian miraton një paketë shpëtimi prej 20 miliardë eurosh për bankat. Parlamenti italian dha dritë të gjelbër për një paketë të mundshme shpëtimi për bankat në vlerë prej deri në 20 miliardë euro. Senati dhe Dhoma e Deputetëve miratuan kërkesën përkatëse të qeverisë për të ndihmuar sistemin bankar “që të konsolidohet dhe të zhvillohet”, tha ministri i Financave, Pier Carlo Padoan.
Nisur prej krizës bankare në Itali, Kryeministri i ri, Paolo Gentiloni deklaroi të hënën në mbrëmje se do të përgatiste si masë paraprake parandaluese një paketë ndihme prej 20 miliardë eurosh. Miratimi i Parlamentit ishte i nevojshme për shkak të ndikimit të paketës së shpëtimit ndaj deficitit shtetëror.
Bankat italiane kanë kredi të këqija që arrijnë në 360 miliardë euro. Në rrezik akut është aktualisht banka Monte dei Paschi di Siena, institucioni i tretë më i madh bankar në vend. Ajo po lufton që deri në fund të vitit të arrijë një rritje kapitali prej pesë miliardë eurosh. Nëse kjo nuk arrihet banka do të falimentojë. Sipas burimeve të brendshme planet për të fituar me Katarin një “investitor spirancë” për rritjen e planifikuar të kapitalit kanë dështuar, por shteti italian mund t’i vijë në ndihmë nëse është e nevojshme bankës më të vjetër në botë.