“Pakt” për Botërorin

Me kualifikimin direkt në Kupën e Botës që është në lojë, te Spanja kanë vendosur të sheshojnë kontradiktat rreth pavarësisë së Katalonjës. Gazeta “Marca” flet për “pakt për të mirën e Spanjës” përpara duelit të 6 tetorit në Alikante me Shqipërinë. Në dhomat e zhveshjes së “La Rojas” është zhvilluar një takim për të ulur tensionin rreth çështjes “Pike”. Edhe pse lojtarët katalanë, mes tyre edhe Sergi Busquets, besojnë se hendeku me tifozët është bërë i parikuperueshëm, lojtarët e përfaqësueses spanjolle kanë vendosur si prioritet sigurimin e vendit të parë në grup dhe kualifikimin në Botërorin 2018.
Gjithsesi, sipas mediave iberike, Gerard Pike nuk mendon të heqë dorë nga përfaqësuesja spanjolle përpara evenimentit që do të zhvillohet në Rusi. Për qëndrimet e tij pro referendumit në Katalonjë, mbrojtësi i Barcelonës u prit me vërshëllima nga tifozët në stërvitjen e ekipit që ka fituar një herë titullin botëror dhe është shpallur tre herë kampione e Europës.
Në situatën e krijuar, Pike kishte deklaruar se nëse federata apo trajneri mendonin se prezenca e tij përbënte problem, nuk do të hezitonte të largohej nga përfaqësuesja e Spanjës. Trajneri Lopetegui i doli në mbrojtje dhe e bëri të qartë se 30-vjeçari dhe të gjithë futbollistët katalanë do të vazhdojnë të mbrojnë ngjyrat e skuadrës, pasi nuk është e udhës që çështjet politike të përfshihen në sport. Vendimi lidhet me faktin se Pike është një prej elementëve kryesorë të “La Rojas”, por edhe për të mos tronditur skuadrën. Megjithatë, nuk përjashtohet që zhvillimet në Katalonjë të ndikojnë në ekuilibrat e brishtë që ekzistojnë te Spanja.
Çështja e referendumit të Katalonjës mbetet çështja e ditës te Spanja. Skuadra, mediat dhe tifozët e kanë të vështirë të përqendrohen të sfida e 6 tetorit në Alikante ndaj Shqipërisë. Kjo ka shkaktuar përshtjellim te një prej yjeve të ekipit, Thiago Alcantara, sipas të cilit “La Roja” duhet të flasë për futbollin në fushë dhe jo për kontestimet e tifozëve ndaj mbrojtësit Gerard Pike.
“Ndjejmë keqardhje që nuk mund të flasim për futboll, që nuk mund të diskutojmë për ndeshjen me Shqipërinë, por që përballemi me çështje politike. Ne jemi futbollistë, nuk merremi me politikë dhe mundohemi gjithmonë që debatet dhe pikëpamjet personale të mos i përfshijmë në përfaqësuese. Pike ka qenë gjithmonë i përkushtuar dhe i lumtur në kombëtaren e Spanjës. Përsa i takon kontestimeve, Gerard ka luajtur shumë herë në ‘Bernabeu’ dhe nuk i bën përshtypje asnjë ambient armiqësor apo vërshëllimat”, u shpreh Alcantara.
Sipas mesfushorit të Atletico Madrid, Koke, pavarësisht situatës jo të qetë politike në vend, atmosfera në përfaqësuesen iberike nuk ka ndryshuar. “Gjithmonë e kemi ndjerë mbështetjen e njerëzve. Atmosfera në skuadër nuk ka ndryshuar dhe jemi të përqendruar te ndeshja me Shqipërinë, për t’i mbyllur këto kualifikuese në vendin e parë. Situata politike është në vëmendjen e të gjithëve, megjithatë ne jemi profesionistë dhe jemi të përqendruar vetëm te futbolli. Synojmë t’i fitojmë dy ndeshjet me Shqipërinë dhe Izraelin edhe pse e kemi të qartë që nuk do të jetë e lehtë”, tha ai.

Exit mobile version