Pakti me Sali Berishën; si Edi Rama u bë mur kundër amerikanëve!

Para një viti Edi Rama deklaronte se nuk do të ketë jo pakt, por as kontakt me non gratat e shpallura nga SHBA e Britania e Madhe.

Nuk kaluan as 10 muaj, dhe kreu i mazhorancës autorizoi paktin me Sali Berishën për ta integruar si opozitë e parë në prioritetet e negociatave parlamentare. Pakt që ndikoi direkt në çështjen e vulës, e më pas solli një marrëveshje që na riktheu në vitin 2008.

Një pakt që bllokoi listat e hapura dhe ndaloi çdo mundësi për të rinovuar elitën politike nëpërmjet votës. Domethënë që ta vendosin qytetarët kush është deputeti dhe jo kryetarët e partive.

Ndërkaq, përveç kësaj lëvizjeje, përkatësisht pjesës politike, si gjithmonë, pakti mes Edi Ramës dhe Sali Berishës ecën paralelisht me deal-et e biznesit. Kullat që ju dhanë njerëzve të afërt të djalit të Sali Berishës që dolën në media, natyrisht të ushqyera nga vetë Rama, si për të treguar se i kam qëndruar paktit. Ku jemi? Në 2008-n!

Atëherë kur përkrah marrëveshjes për ta kthyer Shqipërinë një Republikë kryeministrore e të kryetarëve të partive, u miratuan lejet e ndërtimit në Parkun Kombëtar të Liqenit të Tiranës.

Ku u ndërtua mbi digë, e pjesa ngjitur me Kopshtin Zoologjik, u kthye në një sipërfaqe e betonuar, ku kishin akses në ndërtim të dy palët. Madje jo lobet normale të kompanive të ndërtimit, por nga basifondet më të rrezikshme të lidhur me krimin.

Sa vrasje kanë ndodhur në zonën e liqenit gjithë këto vite, sa vrasje kanë ndodhur për pronat te liqeni këto vite? Pafund!

Sepse ndarja e plaçkës është bërë si në kohën otomane, pa marrë parasysh ligje e rregulla, urbanistikë apo drejtësi sociale. Vetëm të kënaqen “kalorësit” e “bejlerët” modernë.

Por kësaj, pakti Rama-Berisha shkoi edhe më keq, pasi preku thelbin e reformës në Drejtësi, paktit të 2016-s, ku Edi Rama zgjodhi të jetë me amerikanët e Sali Berisha kundër.

Me anë të një amendamenti ligjor, u vendos që Parlamenti mund të rrëzojë operacion antikorrupsion të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit.

Pra Parlamenti, edhe mund ta vinte në diskutim fuqinë e Drejtësisë së re. Gjë që konsiderohet tabu si në ndryshimet kushtetuese për reformën në Drejtësi, ashtu edhe në arkitekturën e institucioneve të reja; nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, SPAK, GJKKO etj.

Sipas kësaj, arkitektura është politika, pra parlamenti që vendos linjat e përgjithshme, por nuk ka mundësi që të ndërhyjë në emërimin e gjyqtarëve, në vettingun e tyre, apo në lëvizjen e prokurorëve e me radhë.

Kurse me amendamentin Rama-Berisha, kjo u rrëzua me një amnisti. Që ishte një lloj prove me “nëndetësen 105”. Pra, atë që thonë njerëzit e Sali Berishës dhe Ilir Metës pareshtur në televizione. Që duhet Parlamenti t’i tregojë drejtësisë se “ndalu Beg se ka hendek”.

Ishte vetëm hapi i parë, që ka krijuar në politikë atë aleancë që sot është përballë komunitetit ndërkombëtar, për të ndaluar qarkullimin e elitave. Sali Berisha sot është në një situatë inferiore me Edi Ramën, por që të dy rrezikojnë largimin si pasojë e drejtësisë. Dhe pakti i tyre në zgjedhjet e 2025-s është një kthim prapa, siç ishte 2008-a.

Po a do ja arrijnë që të bllokojnë procesin e rinovimit? Natyrisht që jo, thjesht po u tregojnë amerikanëve se elita vjetër kontrollon filizat. Por ka një filozofi tjetër që mund të prevalojë në këtë rast. Ajo e rrafshimit total të fushës së vjetër, siç ndodh me grurin kur korret. Digjet deri në rrënjë për të lejuar mbjelljet e reja!/Pamfleti

Exit mobile version