Pakti mes politikës dhe drejtësisë është prishur!

Nga Blendi Kajsiu

Është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që nuk ekziston një pakt mes sistemit të drejtësisë dhe politikës shqiptare. Sistemi i drejtësisë sot, që nga SPAK deri tek Gjykatat, mund të kritikohet për standarte të dyfishta, për inkoherenca apo subjektivitet. Ama është e vështirë të argumentosh sot se drejtësia shqiptare është një zgjatim i ekzekutivit apo që operon nën shantazhin e opozitës.

Aq më pak mund të argumentohet se drejtësia shqiptare ka vendosur ta lërë të qetë politikën, sikurse ka ndodhur që nga viti 1997. Kalimi në arrest shtëpie i dhëndrrit më të famshëm shqiptar si dhe vendosja e masës së sigurisë për ish ministrin e shëndetësisë Ilir Beqja janë thjesht dy fakte më shumë që tregojnë se sistemi i drejtësisë nuk është as zgjatim i Ramës dhe as një konspiracion kundër Berishës.

Që nga nga krijimi i shtetit shqiptar deri në vitin 1997 sistemi i drejtësisë shqiptare ka qenë një zgjatim i politikës në përgjithësi dhe i ekzekutivit në veçanti. Në komunizëm pavarësia mes politkës dhe sistemit të drejtësisë nuk ekzistonte as në koncept as në realitet. Vendimet e gjygjësorit ishin thjesht formalizime të vendimeve që kish marrë byroja politike.

I njëjti fenomen, edhe pse në mënyrë më të zbutur, vazhdoi në fazën e parë të tranzicionit shqiptar, 1991-1997. Qeveria Berisha në këtë periudhë e trajtonte sistemin e drejtësisë si një zgjatim të pushtetit të saj politik. Për këtë arësye gjygjësori u mbush me militantë politik dhe në nivelet e tij më të larta, si Gjykata Kushtetuese, funksiononte nën urdhërat direkte të presidentit Berisha.

Arresitmi dhe dënimi në shkallë të parë dhe në apel i gazetarëve të Koha Jonë, Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj bashkë me arrestimin dhe dënimin e liderit të opozitës Fatos Nano në vitin 1995 ishin vendime tërësisht politike. Një fakt ky i stërvërtetuar nga një sërë organizmash të pavarur ndërkombëtar që i cilësuan këto arrestime si politike.

Në këtë periudhë çdo rezistencë që shfaqëj në sistemin e drejtësisë kundër hyqmit të ekzekutivit dënohej ashpër, me polici, me SHIK dhe me të fortë. Rasti i juristit kurajoz dhe profesionist Zef Brozi (pothuajse i injoruar më mediat tona) është shembulli më i qartë i këtij fenomeni. Brozi u shkarkua si kryetar i Gjykatës së Kasacionit nga ekzekutivi berishist sepse refuzoi të merrte vendime politike në shkelje të ligjit. Jo vetëm u shkarkua por edhe u kërcënua nga SHIK-u, nga policia, dhe të fortët qafë-lesh dhe xhup-zinj që përdorte pushteti i kohës. Aq sa u detyrua të marrë azil politik në SHBA.

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 1997 marrëdhënia mes ekzekutivit dhe politikës në përgjithësi ndryshoi në mënyrë rrënjësore.  Nën parrullën e pavarësisë, të mos-hakmarrjes dhe të mos-përdorimit politik të drejtësisë politika shqiptare, nën udhëheqjen e qeverive socialiste, ndërtoi një pakt të heshtur me sistemin e drejtësisë, sipas llogjikës “më lër rehat, të lë rehat”.

Në këtë moment sistemi i drejtësisë fiton pavarësinë të bëjë ç´të dojë për sa kohë nuk futet në hullitë e politikës. Natyrisht që ndikimi politik tek gjygjësori vazhdoi nëpërmjet organeve si KLD (Këshilli i Lartë i Drejtësisë), por tashmë drejtësia nuk ishte një zgjatim i ekzekutivit dhe as nuk përdorej politikisht për të persekutuar opozitën. Në këtë aspekt fillon një armëpushim mes politikës shqiptare në përgjithësi dhe sistemit të drejtësisë që fillon të vetë-organizohet.

Produkti i këtij armëpushimi, apo pakti të heshtur, ishte korruptimi galopant i politikës nga njëra anë dhe i drejtësisë nga ana tjetër. Politika nuk ndërhyn për të ndalur apo denoncuar korrupsionin e sistemit të drejtësisë. Ndërsa kjo e fundit injoron tërësisht korrupsionin galopant të pushtetit socialist, që shpesh denoncohej hapur nga vetë krerët e këtij pushteti.

Shembulli më i qartë i këtij paktit politikë-drejtësi ishte Lëvizja për Katharsis e inciuar nga Fatos Nano në vitin 2001 që prodhoi një sërë akuzash publike për korrupsion ndaj qeverisë socialiste të Ilir Metës dhe ministrave kryesor të saj. Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste, ishin publike dhe detajonin aferat korruptive të Ilir Metës dhe ministrave të tij.

E megjithatë në gjithë këtë lëvizje politike sistemi i drejtësisë ishte thjesht spekatator. Lëvizja nuk prodhoi asnjë dënim të zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion nga vetë shefi i tyre politik. Nuk u bitis asnjë proces penal apo administrativ pavarësisht se akuzat vinin nga nivelet më të larta të pushtetit politik. Përkundrazi të akuzuarit për korrupsion u rishfaqën në qeverinë socialiste.

Gradualisht akuzat për korrupsion reduktohen në denoncime politike me të cilat sistemi i drejtësisë nuk ka fare të bëjë. Idea se gjithkush mund të akuzojë gjithkënd teksa sistemi i drejtësisë nuk vepron, u normalizua në të gjithë sferën tonë publike. Aq sa përballë akuzave për korrupsion përbënte lajm negativ veprimi dhe jo mos-veprimi i sistemit të drejtësisë.  Cdo veprim i prokurorisë për të zbardhur denoncimet anti-korrupsion stigmatizohej si lëvizje politike, çka e forcoi paktin e heshtur të mos-ndërhyrjes mes politikës dhe drejtësisë.

Ky pakt u respektua edhe nga Berisha me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2005. Pavarësisht akuzave pa fund që Berisha i kish bërë qeverive socialiste gjatë periudhës 2005-2013 nuk pati asnjë dënim të profilit të lartë politik, qoftë nga pozita qoftë nga opozita. Edhe pse në opozitë Berisha kish denoncuar pa fund korrupsionin e Nanos, Metës, Cacit, apo Kaçit, nuk u nis asnjë proces gjygjësor kundër tyre me ardhjen e PD-së në pushtet. Në këto kushte armëpushimi pervers mes politikës (majtas dhe djathtas) dhe drejtësisë u konsolidua pasi askush nuk kishte interes të futej në hullinë e tjetrit.

Politika nuk kish interes që drejtësia të zbardhte denoncimet që palët i bënin njëra-tjetrës, sepse pa këto denoncime politika shqiptare nuk mund të ekzistonte. Pas vitit 1997 diferenca programatike dhe ideologjike mes PS dhe PD zhduket dhe palët diferencohen vetëm nëpërmjet akuzave anti-korrupsion. PD-ja vjen në pushtet në vitin 2005 kryesisht nëpërmjet diskursit anti-korrupsion. Po kështu protesta më e madhe opozitare e Edi Ramës më 21 janar të vitit 2011 ishte kundër korrupsionit të Ilir Metës.

Por asnjë aktor politik nuk i kishte seriozisht akuzat anti-korrupsion ndaj askush nuk dëshironte përfshirjen e drejtësisë në zbardhjen e tyre. Denoncimet antikorrupsion ishin thjesht një instrument në lojën politike për pushtet. Mjafton të kujtojmë që një nga të akuzuarit kryesor për korrupsion nga Lëvizja Katharsis e Fatos Nanos në vitin 2001, Anastas Angjeli, u bë Ministër i Ekonomisë në qeverinë e Nanos 2003-2005. Po kështu Berisha dhe Rama qeverisnin me Ilir Metën pasi e kishin akuzuar si kriminel, hajdut dhe të korruptuar.  Madje e bënë edhe President të Republikës.

Në këto kushte sistemi i drejtësisë e injoronte tërësisht korruptimin e politikës teksa politika e linte të qetë të pasurohej nëpërmjet një korrupsioni galopant. Për këtë arësye degradimi i sistemit të drejtësisë shqiptare në periudhën 1997-2020 ka qenë spektakolar. Pasurimi marramendës i gjygjtarëve bëhej në ditën me diell. Ata dhe ato zotëronin prona dhe pasuri që nuk mund të justifikoheshin me pagat e tyre. Simboli më tipik i degradimit dhe korruptimit të sistemit të drejtësisë ishte i famshmi Gjin Gjoni, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) në periudhën 2013-2018.

Në rastet e rralla kur drejtësia kërkonte të kryente rolin e saj kushtetues duke i rënë në qafë ekzekutivit, reagimi i këtij të fundit ishte i egër. Mjafton të kujtojmë reagimin e Sali Berishës si kryeminstër kur Ina Rama, e cilësuar prej vetë Berishës si Silvia Konti shqiptare, u përpoq të hetonte vrasjet makabre të 21 janarit nga ana e gardës. Në një nga episodet më të turpshme të demokracisë shqiptare Berisha e bllokoi hetimin dhe e sulmoi kryeprokuroren me termin rrugaçëror “lavire”.

Mëkati themelor i Ina Ramës, një nga jursitet më profesioniste dhe më me integritet të Shqipërisë, ishte dhunimi i paktit të heshtur mes politikës dhe drejtësisë. Për sa kohë drejtësisa nuk futej në hullinë e politikës, kjo e fundit nuk merrej me korruptimin galopant të drejtësisë. Kërcënimi publik që Berisha i bëri Ina Ramës e betonizoi edhe një herë këtë pakt, duke frikësuar çdo prokuror, hetues apo gjygjtar që do guxonte të hetonte politikën në përgjithësi dhe ekzekutivin në veçanti.

Sot ky pakt pervers është prishur. Sistemi i drejtësisë po heton politikën, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Natyrisht mund të debatohet mënyra, koherenca apo efektet e këtij hetimi. Ajo që nuk mund të vihet në dyshim sot është fakti që mes politikës dhe drejtësisë nuk ka armëpushim. Paqja mes tyre është prishur, për herë të parë në historinë e tranzicionit dhe të shtetit shqiptar.

Prishja e paktit filloi nga politika me nxitje nga faktori ndërkombëtar. Nëpërmjet reformës në drejtësi dhe sistemit të vettingut politika ia prishi qetësinë sistemit të drejtësisë, duke nxjerrë në rrugë me qindra gjygjtarë dhe prokurorë. Natyrisht procesi nuk ishte perfekt. Mes të larguarve kishte disa gjygjtarë dhe prokurorë profesionist dhe të ndershëm. Por shumica e të larguarve nga sistemi i drejtësisë ishin thellësisht të korruptuar.

Prishja e paktit nga ana e politikës vijoi me prishjen e paktit nga ana e sistemit të drejtësisë. Asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar, dhe aq më pak në historinë tonë të tranzicionit, nuk janë dënuar apo hetuar kaq shumë zyrtarë të lartë dhe skandale të partisë në pushtet, apo politikanë të profilit kaq të lartë si Sali Berisha. Hetimi i Berishës sot krijon një precedent të fortë për hetimin e Edi Ramës nesër. Ndaj propaganda anti-drejtësi që dëshiron ta portretizojë SPAK-un si vegël të Ramës apo si të gjunjëzuar nga berishizmi është thjesht zhurmë.

Natyrisht fakti që sot nuk ekziston një pakt mes politikës dhe drejtësisë nuk do të thotë që ky pakt nuk mund të marrë formë nesër. Me të drejtë një pjesë e ndershme e opinionit publik është e shqetësuar se forcimi i pushtetit politik të Ramës sot mund të prodhojë kapjen e sistemit të drejtësisë nesër. Mund të ndodhë.

Diçka e tillë nuk evitohet thjesht duke dobësuar pushtetin politik të Ramës por duke forcuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një risi e brishtë në historinë e shkurtër të shtetit tonë. Ndaj nëse duam ta mbrojmë atë sulmet tona nuk duhet të drejtohen nga drejtësia e brishtë shqiptare që gradualisht po çlirohet nga zgjedha e politikës por nga shantazhuesit dhe dhunuesit kronik të saj.(Lapsi.al) 

Exit mobile version