Pakti për emigrantët “kalon” në Kushtetuese, Baçi: Marrëveshje politike sipas zakonit të Ramës, e ktheu veten në objekt ndërkombëtar

Duke marrë shkasë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi marrëveshjen midis kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Georgia Meloni, analisti Agim Baçi i ftuar në studion e News 24, tha se vendimi në Kushtetuese është marrë 5 me 4, çka do të thotë se ka pasur debate.

“Ka qenë një votim 5 me 4 që do të thotë se ka pasur debate. Në fund fare, Gjykata Kushtetuese vendos nëse është apo jo brenda kushtetueshmërisë. Po të marrim historikun e këtij debati, sidomos që edhe gjatë kohës që Dhoma e Ulët në Itali dhe tashmë ka kaluar në Senat, Amnesty International, i është drejtuar deputetëve italianë që të mos e kalonin për shkak të çështjeve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut, në këtë rast të emigrantëve që do të presin në një vend tranzit statusin e ardhshëm të tyre. Në Shqipëri, nuk është bërë raporti për shkeljen e të drejtave të njeriut që mund të ketë pas kësaj marrëveshjeje. Kemi të bëjmë me një marrëveshje politike sipas zakonit të z. Rama. Ne e morëm vesh nga Italia, kur u firmos.

Kjo është një lloj arrogance e kryeministrit që shmang çdo lloj institucioni brenda mazhorancës. Ai e ka të sigurt se çdo gjë që të do të marrë do të ketë vetëm kartonin e mazhorancës. Është një marrëveshje që teknikisht kryeministri Rama e ktheu veten në një objekt ndërkombëtar, por në Shqipëri mungon debati edhe me çështjet e sigurisë dhe të drejtat e njeriut. Në Itali, në qendrat e pritjes së emigrantëve ka pasur problematika të mëdha. Kur ka pasur në Itali kaq problematika, që është një shtet më i konsoliduar, imagjinoni çfarë do të ndodhë në Shqipëri, në një rast hipotetik trazirash. Nuk është thjesht një marrëveshje që mbaron këtu”, tha ai.

Exit mobile version