Pallat 12 katësh pa leje, në pranga kreu i INUV dhe 5 zyrtarë të Bashkisë Vlorë

Një kompleks ndërtesash 6, 11 dhe 12 kate në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, pas hetimeve të Prokurorisë ka rezultuar se është bërë pa asnjë leje nga kompania “Endriu 008” dhe kjo ka çuar në pranga shefin e INUV-it në këtë qytet, disa inspektorë si dhe një ndërtues. Si pasojë David Tushe, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) të Vlorës, është arrestuar nga policia për shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm.

Prokuroria e Vlorës njofton se nisi hetimin në bazë të kallëzimit të dy qytetarëve, sipas të cilëve firma e ndërtimit “Endriu 008” po ndërtonte një pallat të lartë, duke u zënë pronën. Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet paraprake, nga ku rezultoi se kompania private kishte nisur punimet që prej vitit 2014, pa u pajisur me lejen e ndërtimit.

Sipas Prokurorisë, INUV-i ishte në dijeni të këtij pallati dhe në maj të vitit 2014 kishte pezulluar punimet me arsyetimin se firma nuk kishte asnjë dokument, por sërish punimet vijuan pa asnjë pengesë, sepse vendimi i pezullimit nuk është zbatuar. Deri në nëntor të vitit 2014 në krye të INUV-it ishte shtetasi i dyshuar Besnik Karabolli, më pas në këtë detyrë është emëruar David Tushaj, i cili gjithashtu nuk ka marrë asnjë masë pezullimi për ndërtimin.

Gjatë kohës së hetimit, më 22 janar, kryeinspektori mori vendim për pezullimin e ndërtimit. Prokuroria e Vlorës krijoi dyshime se nga ana e zyrtarëve janë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ndërsa për administratorin e kompanisë së ndërtimit janë krijuar dyshimet e arsyeshme se ka konsumuar elementët e veprës penale të “ndërtimit të paligjshëm”.

Në fund të hetimit, në pranga kanë rënë shtetasit Edmond Aliaj (ndërtues), David Tushaj, (kryeinspektor i INUV-it), ish-paraardhësi i tij Besnik Karabolli, si dhe inspektorët Iriald Dervishaj, Marjol Mustafaraj dhe Endri Zeneli, të gjithë punonjës të Bashkisë Vlorë.

Artikulli paraprakMbifaturimet, Prokuroria nis hetimet ndaj UKT-së
Artikulli tjetërVenecia foli! Pse Rama po e bllokon Byronë e Hetimit?