“Pallati i Ëndrrave” dhe pasaporta evropiane e PS-së

NGA ADRI NURELLARI

Kaluan tashmë disa javë nga zgjedhjet parlamentare, nga Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian si dhe “Giro d’Italia”, që përshkoi Shqipërinë mes flamujve dhe ngazëllimit. Kjo ishte ëndrra e madhe kolektive e orkestruar nga lart: një ëndërr e kontrolluar, e filtruar, e paraqitur me dronë dhe e stolisur me simbole integrimi. Por pas kësaj vjen zgjimi, i ngadaltë, por i pashmangshëm, si ai mëngjesi i rëndë pas një nate lozonjare me shumë alkool. Gradualisht qytetarët po çohen nga ëndrra e kuruar deri në detaj nga PR-i i pushtetit për pasaportën evropiane dhe drita e fortë e përditshmërisë së paszgjedhjeve na përplas fort në fytyrë realitetin e hidhur: çmimet që ngrihen si taksat dhe temperatura e verës; trafiku i padurueshëm që avancon me solemnitetin e një marshi funebër; shërbimet publike të degraduara ku koha që iu duhej kushtuar qytetarëve harxhohet për fushatat partiake digjitale, qeveritarët që fluturojnë me eskorta, ndërsa qytetarët presin ambulancën; kurset e gjermanishtes për të marrë “Ausweis” po zëvendësojnë dyqanet e lagjes që mbyllen një nga një; rrugët e përuruara me pompozitet që rezultojnë të papërfunduara dhe si për ta plotësuar panoramën, emrat e rinj që po nisen drejt SPAK-ut pas zgjedhjeve përforcojnë moton e vjetër të pushtetit: “Një bie, mijëra ngrihen”.

Në këto rrethana, sistemi politik shqiptar, me gjithë maskën demokratike që mban, ngjan gjithnjë e më shumë me “Pallatin e Ëndrrave” të Kadaresë, një aparat shtetëror që nuk kontrollon vetëm veprimet, por edhe mendimet, ëndrrat, frymëmarrjen shpirtërore të njerëzve. Në atë roman, shteti kishte ngritur këtë institucion, Tabir Sarajin, për të përpunuar ëndrrat e qytetarëve, për t’i parandaluar, frikësuar, kontrolluar. Sot, në Shqipëri, pushteti e bën këtë jo me analizë ëndrrash, por me mbjelljen e frikës, me fikjen e shpresës duke proklamuar se të gjithë janë njëlloj, me ndëshkimin e guximit si dhe promovimin e heshtjes. Është një sistem që nuk ndalon të protestosh, por të bën të ndjesh se s’ia vlen të përpiqesh, ose thënë ndryshe, të jep të drejtën të flasësh, por të hequr çdo arsye për ta ngritur zërin. Me pak fjalë, elita shqiptare ka ndërtuar një version postmodern të këtij pallati. Jo më me përzgjedhës dhe interpretues ëndrrash në Tabir-Saraj, por me sondazhistë të përhershëm, strategë fushatash, analistë me pagesë, gazetarë militantë të koordinuar që vëzhgojnë çdo puls të tensionit publik dhe e relativizojnë duke i dhënë formën më të parrezikshme të mundshme.

Ëndrrat si “pasaporta evropiane” nuk interpretohen më në emër të shtetit absolut, por fabrikohen paraprakisht nga vetë pushteti, për t’u projektuar si dëshira kolektive. Pushteti, përmes PR-it dhe mediatizimit, i shet publikut një realitet të “ëndërruar”: Shqipëria që po ecën përpara, reformat që po japin fryte, rinia që po rikthehet. Por pas këtij iluzioni, ndodhet një vend që po zbrazet, institucione të kapura dhe një popull që nuk flet më me fjalë a vota, por me ikje. Ky është autoritarizmi i epokës së “deformimit të normalizuar”, ku kontrolli është aq i përbrendësuar, sa njerëzit s’e dallojnë dot më, por veç dorëzohen.

Nuk kemi të bëjmë me një parti-shtet dosido si qëmoti, por me një aparat të ndërtuar për të kolonizuar vetë imagjinatën e qytetarëve. E vetmja ëndërr e lejuar është ajo që garanton vazhdimësinë e sovranit. Ato që ëndërrojnë ndryshe, dëshirojnë ndryshim dhe konkurrencë të ndershme, përfundojnë duke u përjashtuar, etiketuar ose mbytur në një det indiference të qëllimshme. Por përtej propagandës së lyer me euro-yje dhe “manifakturimit të miratimit” që na u servir në këto zgjedhje, lind pyetja: çfarë bilanci real ka PS-ja në procesin e anëtarësimit? A është e bazuar kjo krekosje delirante europianiste që na shurdhoi gjatë fushatës dhe që me gjasë do të hutonte e skuqte nga sikleti vetë Robert Schumanin dhe Jean Monnet-në?

Partia Socialiste ka qeverisur Shqipërinë për 21 vjet e 10 muaj, duke qenë forca më jetëgjatë në pushtet gjatë pluralizmit. Vendeve të bllokut lindor iu janë dashur mesatarisht 16.5 vite për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian që nga momenti i rënies së komunizmit. Pra, po të lëmë mënjanë përgjegjësitë e 13 vjet qeverisje të PDsë dhe Berishës, PS-ja, po të kishte qenë përnjëmend ky fanar euroatlantik siç e ambalazhon sot kryeministri, ne duhet të ishim tashmë të integruar qëmoti. Gjatë fillimit të viteve ‘90, PS-ja (pasardhëse e PPSH-së) nuk kishte një orientim të qartë drejt BE-së, madje retorika e saj ishte shpeshherë antiperëndimore. Duke u përqendruar më shumë në mbrojtjen e trashëgimisë të së majtës sesa në mbështetjen aktive të reformave euroatlantike, qasja e saj ngjante më tepër me një politikë izolacioniste sesa evropiane. Me ardhjen në pushtet në vitin 1997, pas kolapsit shtetëror të shkaktuar nga kriza e skemave piramidale, qeverisja e Partisë Socialiste u dominua nga një klimë e thellë pasigurie, paqëndrueshmëri institucionale dhe korrupsion kapilar. Shqipëria u perceptua si “shtet i dështuar”, ndërsa mungesa e sundimit të ligjit dhe kontrollit demokratik bëri që vendi të mbetej për shumë vite jashtë procesit të integrimit. Gjatë kësaj periudhe, megjithëse u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, reformat e kërkuara nga BE-ja për zgjedhje të lira e të ndershme, administratën publike të depolitizuar, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit u zbatuan me ritëm të ngadaltë dhe shpesh formalisht. Vlerësimet e BE-së në atë kohë theksonin se, ndonëse kishte retorikë politike prointegrimit, qeveria socialiste e Nanos nuk arrinte të siguronte rezultate konkrete, duke e mbajtur Shqipërinë jashtë orbitës së zgjerimit të BE-së. Nën lidershipin e Ramës, Partia Socialiste e Shqipërisë në përgjithësi është pozicionuar publikisht si prointegrimit evropian, megjithatë ka pasur plot momente ku veprimet, taktikat politike ose lëvizjet institucionale kanë qenë pengesë reale për procesin e integrimit. Pas mospranimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, për shkak të pretendimeve për manipulim zgjedhjesh (déjà vu e ngjashme me atë që po bën Partia Demokratike sot), PS-ja ndërmori bojkotimin e Kuvendit që bllokoi përparimin në reformat e integrimit evropian.

Vendimi për bojkotimin e Kuvendit shkaktoi përplasje brenda PS-së dhe formimin e një fraksioni disidentësh të përbërë nga figura si Blushi, Malaj, Harasani, Islami, Bello, të cilët bënin asokohe thirrje për kthim në parlament pikërisht për të mos bllokuar procesin e integrimit. Obstruksionizmi i PS-së vazhdoi edhe pas rikthimit në Kuvend, duke refuzuar votimin e tre ligjeve të shumëpërmendura që kërkonin tre të pestat e votave dhe që ishin parakusht për fitimin e statusit të vendit kandidat. Bëhej fjalë për ligjin për Gjykatën e Lartë, statusin e nëpunësit civil dhe rregulloren e Parlamentit, të cilat PS-ja i votoi vetëm më 30 maj të vitit 2013 (megjithëse fillimi i marsit ishte afati maksimal që kishte vendosur Brukseli në mënyrë që Këshilli i BE-së të merrte në shqyrtim kandidaturën e Shqipërisë), me parakushtin që të hynin në fuqi në tetor, vetëm e vetëm që PD-ja të mos merrte ndonjë meritë për integrimin. Shqipëria e mori më në fund statusin e vendit kandidat në qershor të vitit 2014, megjithëse kishte aplikuar që në prill të vitit 2009, duke shënuar një rast të paprecedentë në historinë e zgjerimit evropian për shkak të refuzimeve të shumta.

PS-ja, kur erdhi në qeverisje, u karakterizua nga një zbatim selektiv i reformave të premtuara dhe afera të mëdha korrupsioni. Po ashtu, një nga pengesat më serioze për integrimin evropian të Shqipërisë ka qenë fenomeni i korrupsionit elektoral, sidomos përmes blerjes së votës, presionit ndaj administratës publike dhe bashkëpunimit me elementë të krimit të organizuar në fushata. Ky fenomen, i ilustruar më së miri me dosjet famëkeqe “184” dhe “339”, ka minuar besimin publik në procesin demokratik dhe ka ngritur alarme të përsëritura në raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të OSBE/ODIHR, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Gjatë mandatit të dytë pati kriza të mirëfillta të institucioneve dhe të pluralizmit, me polarizimin e skajshëm, ku shije të hidhur lanë veçanërisht zgjedhjet lokale pa opozitë në 2019 dhe krijimi i një parlamenti njëngjyrësh, pa opozitë reale, që çoi edhe në një reformë zgjedhore të njëanshme, pa konsensusin e opozitës. Me kontrollin e shumicës së institucioneve, PS-ja zvarriti reformën e drejtësisë dhe u përpoq të vendoste nën kontroll të plotë institucionet kyçe. Prandaj, raportet evropiane theksuan “mungesën e konsensusit politik” dhe “përqendrimin e pushtetit në dorën e ekzekutivit” si shkaqe kryesore për refuzimin e përsëritur të çeljes së negociatave. Mandati i tretë gjithashtu u karakterizua nga centralizimi i pushtetit, mungesa e dialogut politik dhe vazhdimi i korrupsionit. Rënia prej 16 pozicionesh, nga vendi i 83-të në 2021 në të 99-in në 2024 në indeksin e “Reporterëve pa Kufij” për lirinë e mediave, ilustron qartë përkeqësimin e klimës demokratike. Po ashtu, sundimi i ligjit u minua seriozisht përmes ndërhyrjeve politike në institucionet e drejtësisë, duke cenuar pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Konkretisht, emërimet e vonuara dhe të politizuara në Gjykatën Kushtetuese (PS-ja shmangu qëllimisht respektimin e afateve kushtetuese dhe procedurave të përbashkëta me Presidentin për të vonuar ose manipuluar renditjen e kandidatëve), kapja de facto e KLGJ-së, KLP-së dhe KEDsë përmes kontrollit parlamentar, si dhe hetimet selektive nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, kanë krijuar një sistem drejtësie goxha të varur dhe të njëanshëm. Pas çdo ëndrre të zbukuruar me yje e flamuj evropianë, indekset e ndryshme demonstrojnë mosevropianizimin e Shqipërisë dhe mosarritjen e kritereve të Kopenhagenit për anëtarësim. Për sa i përket nivelit të demokracisë, nga 2013 në 2024, në renditjet më prestigjioze ndërkombëtare, Shqipëria ka mbetur “pjesërisht e lirë” sipas “Freedom House” dhe ka përjetuar një autokratizim të qëndrueshëm sipas V-Dem, duke rrëshqitur nga demokracia liberale drejt një regjimi elektoral hibrid me institucione të dobëta dhe liri të kufizuara. Nëse flasim për ekonominë, llogaritjet tregojnë se Shqipërisë do t’i nevojiten rreth 80 vjet për të arritur mesataren e PBB-së për frymë të BE-së, duke u bazuar në ritmet aktuale të rritjes së Shqipërisë dhe të vendeve anëtare të BE-së. Indeksi i Drejtësisë i nxjerrë nga “World Justice Project” (WJP) në 2021 e rendiste Shqipërinë në vendin e 83-të, ndërsa në 2024 në vendin e 89-të, duke shënuar një rënie prej 6 vendesh.

Në këto rrethana e me këtë model qeverisës, e vetmja shpresë reale për t’u anëtarësuar mbetet hyrja “si me mik”, duke mbajtur hundën mbyllur me gishta për të mos nuhatur kundërmimin e keqqeverisjes së kalbur dhe të konsumuar të PS-së. Jo përmes përmbushjes së plotë të kritereve, por falë rrethanave gjeopolitike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe nevoja Brukselit për të mbajtur gjallë ëndrrën e zgjerimit si instrument stabiliteti dhe paqeje në kontinent. Prandaj, neve që e duam sinqerisht integrimin, s’na mbetet gjë tjetër veçse të lutemi me sarkazëm: Mbahu, Putin, mos lësho pe, shtrëngoje edhe pak rripin, sa të hyjmë ne në BE! /Gazeta Panorama

Artikulli paraprakAlbania 2.1 e Vini Mass/ Kullë te shtëpia e Kadaresë dhe hotel mbi Gjipe
Artikulli tjetërNjohja e shtetit palestinez, pse Izraeli po pengon pajtimin dhe çfarë po kërkon Europa?