Paloka: Betejë për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka deklaron se pa garantimin e votës së lirë nuk mund të ketë zgjedhje. “Fakti që hedhin poshtë dy kërkesat PD për Reformën Zgjedhore, do të thotë se Rama deklaron se nuk do zgjedhje dhe nuk ka as ndërmend të luajë rolin që është i gatshëm të bëjë zgjedhje. I njëjti fenomen ndodhi në Dibër, tregoi me arrogancë që votën e shqiptarëve mund ta këmbejë dhe ta bëjë zero me para të drogës me llumin dhe represionin e krimit. Edhe aktet e fundit janë vetëm një konfirmim i gjithë kësaj të vërtete që pret reagimin tonë. Nuk ka asnjë kuptim të flasim për Reformën Zgjedhore, për mua madje nuk ka kuptim që ne të vijojmë të rrime në atë Parlament, të bëjmë sikur të jemi pjesë e këtij shteti dhe vendi, përderisa nuk kemi zgjidhur dhe nuk do të mund të zgjidhim çështjen e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira në këtë vend. Pa votë të lirë nuk ka asnjë proces dhe akt tjetër që mund të konfirmojë se në Shqipëri vijon të funksionojë pluralizmi dhe demokracia”, thekson Paloka. Kryetari i grupit të PD thekson se, beteja e partisë më të madhe opozitare duhet të jetë vetëm një, betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “E kemi deklaruar se zgjedhjet me Edi Ramën kryeministër nuk ka. Beteja jonë e parë dhe finale do të jetë beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përderisa është kusht që beteja të zhvillohet pa Edi Ramën, beteja jonë do të përqendrohet në këtë pikë”, deklaron numri dy i PD.

Exit mobile version