Kreu i Grupit të PD, Edi Paloka, tha dje se opozita është e hapur për dialog, por vetëm me një temë, ngritjen e qeverisë teknike. Partia Demokratike, në arritjen e objektivit të saj politik për qeveri teknike, nuk shpreson në lëvizjet brenda koalicionit qeveritar dhe as në ndarjen e LSI-së nga Partia Socialiste. Në një intervistë për “Ora News”, në ditën e 33 të protestës, kryetari i Grupit parlamentar Edi Paloka, tha se Lëvizja Socialiste për Integrim është përgjegjëse për keqqeverisjen sa Partia Socialiste. “Kryetari i PD e ka bërë të qartë qëndrimin edhe ndaj LSI, është një parti jo vetëm në koalicion me Edi Ramën, por për fat të keq është partia që është kthyer në patericë të Edi Ramës, është ajo që po e mban në qeveri pavarësisht kundërshtimeve formale apo nuk e di si mund t’i quaja ato që dalin herë pas here në media gjoja kundërshtime. Fakti është që Edi Rama gjithë zollumet i ka bërë i mbështetur nga vota e LSI. Sa i përket ndarjes apo jo të LSI unë e kam thënë dhe një herë tjetër, nuk është PD që pret shpëtimin nga largimi i LSI nga koalicioni, shpëtimi nga largimi i LSI nga koalicioni do të jetë shpëtim për LSI jo PD”, tha Paloka. Përsa i përket kanaleve të komunikimit dhe dialogut për zgjidhjen e krizës politike, Paloka tha se Partia Demokratike ulet në tryezë për të diskutuar vetëm për qeverinë teknike. “Dialogu mund të zhvillohet vetëm pasi Rama të japë dorëheqjen dhe të bjerë dakord për qeverinë teknike. Sigurisht që pasi të konkludohen për këtë pikë do të zhvillohen bisedime sepse qeveria teknike do të ketë disa detyra që duhet t’i zbatojë dhe sigurisht kjo bëhet me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjitha partive”, tha Paloka. Qëndresa e qytetarëve do të vijojë, tha Paloka, deri kur të arrihet qeveria teknike, duke u shprehur i bindur se më 18 qershor nuk do të këtë zgjedhje me kryeministër Edi Ramën. Paloka ripërsëriti qëndrimin e kryetarit Lulzim Basha, për të mos lejuar Fatmir Xhafën që të ushtrojë detyrën e ministrit të Brendshëm, por nuk dha detaje sesi do të arrihet kjo në kushtet kur ai mund të marrë votëbesimin në Parlament.









