Paloka: Drejtësia jo në duart e njeriut që ka inkriminuar Parlamentin e qeverinë

Nënkryetari dhe kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ka folur ekskluzivisht për “citynews.al” në lidhje me situatën politike në vend, pikën më të nxehtë të saj, Reformën në Drejtësi, zgjedhjet e parakohshme dhe aleancat e PD-së në zgjedhje dhe qeveri. Paloka thekson se, PD kërkon që reforma të jetë sipas kushteve të Venecias, ndërsa kërcënimin për zgjedhje të parakohshme nga Edi Rama e shikon si presion të Kryeministrit ndaj aleatit të tij më të madh në qeveri. Nënkryetari i PD-së thekson se, LSI dhe PDIU janë pjesë e së keqes së qeverisë së sotme në vend. Edi Paloka bën një përshkrim edhe të liderit demokrat, Sali Berisha dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha. Ai e sheh Berishën si një lider të pazëvendësueshëm për PD-në, ndërsa Bashën e shikon si liderin e ri të opozitës dhe Kryeministrin, i cili do t’i japë qeverisjes fytyrën njerëzore.

– Tema më e nxehtë për momentin mbetet Reforma në Drejtesi, a do e votojë opozita pa u plotësuar kushtet e saj?
PD nuk ka kushte për reformën, kushtet janë të Komisionit të Venecias dhe ne absolutisht nuk do të pranojmë asnjë akt që lidhet me këtë reformë që del jashtë rekomandimeve të Venecias. Aktualisht gjithçka lidhet me rekomandimin 88 të këtij komisioni, rekomandim që qartëson se nuk mund të ketë reformë pa pjesëmarrje të opozitës. Dhe ne nuk kërkojmë as më pak e as më shumë. Çdo devijim, sado i vogël në dukje nga ky rekomandim, e lë drejtësinë në dorë të Ramës, në dorë të njeriut që inkriminoi në mënyrën më flagrante Parlamentin, qeverinë dhe administratën shqiptare. Njeriu që në çdo rast ka treguar se drejtësia për të është ajo e duhura kur mbron kriminelë e hajdutë të tufës së Ramës, është e drejtë kur dënon opozitën edhe për fjalën e lirë dhe duhet reformuar në çdo rast që bën të kundërtën. Ne nuk mund ta lemë drejtësinë në dorë të një Kryeministri të tillë, po as në dorë të kujtdo që do të jetë nesër Kryeministër. Pushteti i pakufizuar në këtë vend po tregon se çon drejt diktaturës.

– Kreu i qeverisë Edi Rama ka “kërcënuar” me referendum dhe zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet Reforma në Drejtësi. A është e përgatitur PD, ndërkohë që ka ende zgjedhje dhe përplasje në mjaft degë të saj?
Kërcënimi për zgjedhje të parakohshme, për ne nuk është kërcënim. Në fakt as Rama nuk ia drejton PD-së këtë “kërcënim”, por aleatit të tij. PD i qëndron kërkesës së saj për zgjedhje të lira e të ndershme dhe të parakohshme apo jo, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen as me këtë qeveri e as me këtë Kryeministër. Ne jemi të gatshëm dhe të bindur që me zgjedhje të lira e të ndershme do ju japim shqiptarëve qeverisjen e duhur.

– Koalicion me Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin, a e shikoni të mundshme nesër?
Koalicioni ynë do të jetë me këdo që e sheh, e kupton dhe është gati të luftojë për të larguar këtë të keqe që ka zënë Shqipërinë. Dy partitë që përmendni, sot janë pjesë e koalicionit të së keqes që ne duam të luftojmë.

– A është Lulzim Basha, lider si Berisha dhe çfarë i mungon kryetarit të ri të PD-së?
Basha është kryetari i zgjedhur me shumicën absolute të anëtarëve të PD-së në një moment shumë të vështirë të kësaj partie. Të bësh krahasime me Berishën nuk është e mundur, sepse Berisha mban mbi vete pjesën më të rëndësishme të historisë së PD-së dhe jo vetëm Basha, po askush nga ata që do të drejtojnë PD-në në të ardhmen, për shkak të këtyre rrethanave historike, nuk do të mund të krahasohet me Berishën. Sa për aspektin e drejtimit të partisë nga njëri dhe tjetri, sigurisht që ndryshojnë karakteret, ndryshon formimi, por ndryshojnë dhe situatat që kalon PD. Berisha krijoi një autoritet të padiskutueshëm si lider në vite jo vetëm si pasojë e karakterit dhe profilit të tij që e paracaktonin në atë pozicion, por dhe sepse në 25 vjet mbuloi postet më të rëndësishme të drejtimit të vendit.
Basha ka një mënyrë më komunikuese, tolerante e bashkëvepruese në vendimmarrje. Por padiskutim kjo nuk e pengon që të pozicionohet si lider jo vetëm i PD, por dhe i gjithë opozitës shqiptare. Unë jam i bindur që do të jetë Kryeministri, i cili do t’i japë qeverisjes fytyrën njerëzore, humane për të cilën shqiptarët kanë nevojë pas arrogancës dhe negativitetit me të cilën përballen çdo ditë nën sundimin e Ramës, Kryeministrit më anadollak që ka njohur ky vend pas diktaturës.

“Citynews”

Exit mobile version