Kushëriri i drejtorit të Tatimeve të Dibrës është kapur me 75 kilogramë drogë, ndërsa policia e mbajti të fshehtë ngjarjen. Djali i xhaxhait të kreut të Tatimeve të Dibrës është kapur me drogë para dy ditësh, ndërsa skandali u denoncua dje në Kuvend nga kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Paloka tha se, Islam Imeraj është arrestuar me 75 kilogramë kanabis sativa. Paloka tha më tej se, Islam Imeraj është djali i xhaxhait të Dionis Imerajt, drejtori i Tatimeve në Dibër dhe për këtë arsye, emri i tij nuk është publikuar nga policia.
“Islam Imeraj, djali i xhaxhait të Dionis Imeraj, drejtorit të Tatimeve në Dibër është kapur me 75 kg drogë. Vëllezërit e shefit të Komisariatit të Dibrës dhe nipi i atij të Tatimeve kanë dalë të shesin mallin e vëllezërve në polici. Vëllezërit vijonë të mbajnë poste se kanë bërë shërbimin”, deklaroi Paloka.
Në fund të muajit shtator u kap me kokainë vëllai i shefit të Komisariatit të Policisë së Dibrës, Robert Aga. Pajtim Aga, u arrestua në Lezhë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë dhe gjatë kontrollit në automjet iu gjet sasia e kokainës. Ishte një kontroll rutinë i policisë që zbuloi drogën në makinën e vëllait të shefit të Komisariatit të Dibrës.
Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga është akuzuar për përfshirje në blerjen e votave gjatë procesit zgjedhor për Bashkinë Dibër. PD ka depozituar në Prokurori për Agën dhe një kallëzim, duke e cilësuar pjesë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Para zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Dibër, kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka, doli me një listë emrash të shefave të komisariateve që sipas tyre janë pjesë e rrjetit të trafikut të lëndëve narkotike.
Në listën e 5 shefave të komisariateve rezultonte të ishte edhe ai i Dibrës, Robert Aga, që gjithashtu PD e ka dorëzuar në Prokurori në listën e personave që denoncoi për blerje votash në këtë Bashki. Arrestimi i Agës u bë pas një informacioni të marrë në rrugë operative në lidhje me aktivitetin e tij. Lënda narkotike u gjet e paketuar dhe sipas policisë dyshohet për një rrjet të shpërndarjes dhe të shitjes.
Po ashtu, Paloka akuzoi dje në Kuvend ministrin Tahiri dhe kryeministrin Rama si të implikuar në aktivitetet e kultivimit dhe trafikimit të drogës, duke folur edhe për sekuestrimin e 2 ton drogë në Tepelenë, ku drejtuesit e policisë ishin të përfshirë në këtë tonelatë droge, pasi merrnin 30 përqindshin për çdo rrënjë kanabisi. Paloka tha se, trafikantët u lajmëruan nga policia dhe u ndërrua vendi i drogës, por sërish Prokuroria e gjeti me informatorin e saj.
Para dy ditësh u krye një operacion me urdhër të Prokurorisë në Memaliaj për kapjen e një sasie prej rreth 2 tonë drogë. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, ky operacion ishte urdhëruar të martën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet thonë se, ka oficerë policie të implikuar në këtë rast dhe për këtë qëllim janë njoftuar trafikantët që të fshehin drogën që të mos sekuestrohej gjatë operacionit të urdhëruar nga Prokuroria.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka komunikuar të martën në mbrëmje me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke i kërkuar ndërhyrje për sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e personave të implikuar.
Po kështu është vënë në dijeni për operacionin edhe Drejtoria e Policisë Gjirokastër, por burimet nga Krimet e Rënda, bëjnë të ditur se trafikantët janë njoftuar për të lëvizur mallin, pasi do të ketë operacion policor. Dhe kështu ndodhi, trafikantët e kanë transportuar kanabisin në një bazë tjetër, për të cilën sërish Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dijeni të plotë. Gjatë operacionit organi i akuzës e orientoi policinë në vendndodhjen e re, pikërisht aty ku ishte vendosur lënda narkotike. Për shkak të përfshirjes së drejtuesve të policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, operacionet për goditjen e bazave të përpunimit të tij janë organizuar nga Prokuroria pas sinjalizimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror. Prokuroria dhe SHISH po prekin pikërisht parcelat e “të paprekshmëve”, në zonat ku policia nuk ndërhyn “me dashje”, ku kultivuesit dyshohet se kanë lidhje me shefat në polici dhe qeveri.
R.POLISI