Nënkryetari i PD, Edi Paloka i përgjigjet Ramës me shifra. Shqipëria është e skllavëruar nga një kryeministër që ka punuar në dy mandate për ta mbjellë Shqipërinë me drogë dhe për të vjedhur buxhetin me PPP.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i është përgjigjur Edi Ramës me shifra në lidhje me mjerimin që u ka shkaktuar shqiptarëve në 8 vite qeverisje.
“Shqipëria e varfër dhe shqiptarët e mjeruar janë emblema e Shqipërisë së Ramës. 36% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5$ në ditë sipas Bankës Botërore, këto janë rezultatet e politikës fiskale të Ramës. Shqiptarët e shtresës së mesme pritet ta popullojnë këtë grup, pasi Banka Botërore paralajmëron se 41% e shqiptarëve do të jenë pjesë e kësaj shtrese.
Sot Shqipëria është kthyer në një shtëpi që boshatiset nga shqiptarët. Edhe në këtë vit pandemie numri i shqiptarëve që largohen për 100 mijë banorë është më i larti në rajon dhe i dyti në botë.
Kryeministri që premton taksa të ndershme sot ka nisur të taksojë me 23% ata shqiptarë që punojnë në dy punë për të nxjerrë bukën e gojës.
Shqipëria është e papunë. Shqipëria është e skllavëruar nga një kryeministër që ka punuar në dy mandate për ta mbjellë Shqipërinë me drogë dhe për të vjedhur buxhetin me PPP.
Shqipëria e karburantit më të shtrenjtë nga ku 50% e çmimit është taksë për qeverinë. Shqipëria e 157 mijë të papunëve që i dëshmon vetë drejtoria e taksave dhe tatimeve në vend. Shqipëria e 37 mijë bizneseve të mbyllura vetëm në pak muaj pas pandemisë. Shqipëria që qeveriset nga zullumet e kryeministrit të specialistëve që ka dhënë 72 mln euro për inceneratorët”, shkruam Paloka.