Paloka ironizon Ramën

Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka reaguar sot në mëngjes lidhur me qëndrimin që mbajti dje kryeministri Edi Rama ndaj ambasadorëve. Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Paloka nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të kreut të qeverisë, të cilin e ka cilësuar lider botëror. Paloka theksoi mes të tjerash se ishte pikërisht lideri-Rama- ai që foli, duke u mbyllur sipas tij gojën. Rama dje gjatë një takimi me ambasadorët e BE dhe të vendeve të NATO-s, pohoi se disa prej tyre sillen si delenxhinj, ndërsa shoferët si timonierë allçakë. “Kush ishin ata të pafytyrë që mendonin se fajin për mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri e kishin krimi e korrupsioni?! Kush ishin ata të pashkolluar që thonin se kanabisi përveç të tjerave, do të shkatërronte dhe ekonominë? Kush injorant fajësonte taksat e larta? E mbi gjithçka, kush ishin ata që guxonin të bënin fajtor liderin suprem?!!! Lideri vetë ju a përplasi në fytyrë të gjithëve; faji është i ambasadorëve… Këta të paaftë (që nuk dihet cili armik ia ofroi Ramës që t’i emëronte ambasadorë) nuk arritën të shfrytëzonin as lëvizjet brilante diplomatike të liderit suprem, i cili arriti të krijojë trekëndëshin e fuqishëm Shqipëri-Francë-Gjermani nëpërmjet atleteve Adidas që i dhuroi kryeministrit francez. Tani të gjithë ju të tjerët duhet të heshtni, të mbyllni gojën. Lideri botëror foli vetë”, shkruan Paloka në reagimin e tij.

Artikulli paraprakDjemtë e shefave të policisë lëvizin me makinat me targa policie
Artikulli tjetërAmbasadorja e Ramës irriton mediat në Holandë