Paloka: Më 13 maj, protesta më e madhe që ka njohur rajoni

Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka deklaroi dje se, protesta e 13 majit do të jetë më masivja që është zhvilluar ndonjëherë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Paloka e cilësoi rastin e Kavajës si fitoren e parë të kauzës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa tha se beteja vijon deri në fitoren e kësaj kauze. Paloka deklaroi se protesta e 13 majit do të një protestë paqësore dhe e qytetëruar, e cila do të dëshmojë edhe një herë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur votën e tyre të lirë. “Më 13 maj kemi jo vetëm betejën e radhës, por kemi rastin të tregojmë edhe një herë se kush janë demokratët, se si ne e mendojmë të ardhmen e këtij vendi, se si ne e mendojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi në një protestë të qytetëruar, europiane, kemi treguar se jemi po aq të vendosur të arrijmë qëllimin tonë. Këtë do të tregojmë më 13 maj. Absolutisht nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm nga e gjithë Shqipëria, sepse mesazhet po vijnë nga shqiptarët në të gjithë botën. 18 shkurti ishte fillimi i kësaj proteste, por të jeni të bindur që më 13 maj do të jetë protesta më e madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria dhe gjithë rajoni. Jemi të vendosur që në mënyrë paqësore të tregojmë forcën tonë, sepse forca është pjesëmarrja, është bashkimi”, u shpreh kreu i Grupit parlamentar demokrat. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar demokrat deklaroi se më 13 maj do të jenë qytetarët që do t’i tregojnë Ramës forcën e tyre paqësore për të ndryshuar kursin e vendit. Paloka reagoi gjithashtu edhe ndaj deklaratave të Ramës për asgjësimin e Partisë Demokratike, ndërsa tha se kurrë nuk do të mund të zhduket PD, pasi ajo sot është shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. “Shqiptarët e bashkuar më 13 maj do të arrijnë t’i tregojnë jo vetëm këtij kryeministri, por kujtdo se beteja jonë, se kauza jonë, është kauzë jo vetëm e PD, jo vetëm e opozitarëve që janë bashkuar me PD, por është kauza e gjithë shqiptarëve, që e dinë se Shqipëria nuk mund të ecë në rrugën e vjetër, në rrugën ku një grup oligarkësh vjedh gjithçka. Kanë arritur kohët e fundit të na kërcënojnë edhe me ekzistencën tonë. Kemi dëgjuar kryeministrin që thotë se do të zhduket Partia Demokratike. Por a mund të zhduket PD? A mund të zhduket shumica e shqiptarëve? Kurrë! Prandaj më 13 maj të gjithë bashkë t’i tregojmë se forca jonë është tek bashkimi, tek paqja, por sigurisht të vendosur deri në fitore”, tha Paloka.

Artikulli paraprakManjani: Kolegji të vendosë lirisht
Artikulli tjetërBerisha me Lu: Situata në vend kritike