29 vjet nga përpjekja e parë për rrëzimin e bustit të Stalinit, Shqipëria gjendet në një sistem drejtimi totalitar. Me këtë qëndrim nënkryetari i PD, Edi Paloka, u ka kërkuar të rinjve të Shkodrës të ngrihen në protestë, sipas tij për të mbrojtur demokracinë.
14 janari i vitit 1990 shënoi përpjekjen e parë për rrëzimin e bustit të Stalinit, si një prej simboleve të komunizmit.
29-vjet nga ajo kohë demokratët hedhin paralele me ditët që po kalon vendi sot.
Numri dy i Partisë Demokratike, Edi Paloka, kërkoi që Shkodra të jetë sërish në ballë të protestave.
Edi Paloka: Edhe sot kemi një regjim që sundon dhe nuk drejton. Shkodra i ka prirë gjithmonë historisë. I priu demokracisë, edhe sot duhet të jetë e para. Jam i bindur që do ta hidhni dhe këtë hap.
Sa kohë që Edi Rama të jetë në krye të vendit, nuk mund të ketë as demokraci dhe as zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet largimi i tij sa më parë.
Edi Paloka: Nuk mendojmë që do të vimë në pushtet pa zgjedhje por ama si hap të parë të jeni të bindur se nëse ne nuk largojmë këtë Kryeministër, zgjedhjet do të jenë një proces vërtet i vështirë.
E ideuar nga të dy rinj shkodranë, Rin Monajka dhe Dedë Kasneci, rreth këtij plani u bashkuan qytetarë të shumtë të Shkodrës duke dhënë kështu një mesazh të qartë lirie e ndryshimi.
Nisma e tyre u diktua dhe parandalua nga Sigurimi i Shtetit, i cili arrestoi dhe torturoi organizatorët dhe të rinj të tjerë që u bënë pjesë e grupit të tyre.
Busti do të hiqej nga sheshi kryesor më vonë, por po atë vit.