Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka reagoi dje pas përpjekjeve të lodhura të Ramës për të zbehur masivitetin dhe mesazhin e protestës së djeshme ndërsa tha se numërimi mbrapsht për largimin e Ramës po troket drejt finishit.
“Çdo shqiptar e di se sa merr vesh nga numrat Edi Rama. Sot i numëroi qytetarët që u ngritën kundër tij ashtu siç ka numëruar këto katër vite plantacionet e kanabisit. Ashtu siç ka numëruar 300 mijë vendet e punës dhe rritjen e rrogave.
Shqiptarët sot treguan masivisht se nuk do të lejojnë vjedhjen e zgjedhjeve. Shqiptarët ishin në bulevard kundër tij dhe veglave të tij, kurse Edi Rama ja mbathi jo vetëm nga zyra por edhe nga Tirana.
Nuk arriti t’i mbajë larg protestës shqiptarët me tellallët e frikës, nuk i ndaloi dot me policë me maska dhe pa maska, dhe nuk e zhurmon dot zërin e qindra mijërave shqiptarëve. Më kot rreken veglat e tij të blera me paratë që u vidhen shqiptarëve që ta zbehin mesazhin e fortë të protestës me të madhe në histori. Nuk ke parë asgjë akoma. Numërimi mbrapsht po troket. Tik Tak….” thekson Paloka në reagimin e tij.