Partia Demokratike do të marrë pjesë në Parlament, por marrëdhënia e saj do të jetë e kushtëzuar. Nënkryetari i kësaj force politike Edi Paloka, tha se mazhoranca e ka kthyer Parlamentin në ilegjitim ndaj opozita tha ai nuk mund të sillet në mënyrë normale. “Ky Parlament tashmë për ne e ka humbur legjitimitetin dhe ne do të sillemi me të, me detyrimin për të përfaqësuar zgjedhësit tanë, por si përballë një mazhorance pa legjitimitet. Nuk po paralajmëroj asnjë skenar, thjesht po bëj të qartë që marrëdhënia jonë me Parlamentin do të jetë si me një mazhorancë ilegjitime”. I pyetur nëqoftëse Partia Demokratike do të bashkëpunojë me mazhorancën dhe do të bëhet pjesë për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nënkryetari demokrat dha këtë përgjigje: “Vendimet tona do të lidhen jo thjeshtë me qëllimin që ka opozita për të pasur një reformë reale në drejtësi, të nevojshme, por do të jetë dhe me qëndrimin e mazhorancës. Ne nuk mund të bëjmë sikur…që ne të shkojmë të miratojmë ligje pastaj të shikojmë si këto ligje dhe vetë Kushtetuta shkelen me këmbë nga mazhoranca dhe kryeministri. Kështu që edhe vendimet do të merren në përputhje me këto reagime”. Duke folur për kërkesën e dorëheqjes së kryetarit të Parlamentit, Garmoz Ruçi, Paloka tha se ky do të ishte akti i parë i rikthimit të Parlamentit në normalitet. “Përderisa Gramoz Ruçi ka marrë përsipër të luajë rolin e kukullës së Edi Ramës në Parlament dhe është përgjegjësi direkt për ato që ndodhin në Parlament, duhej që si akt i parë për normalizimin e Parlamentit dhe kthimin e dinjitetit të Parlamentit, Gramoz Ruçi të largohej nga kryesimi i Parlamentit”, tha Paloka. Edhe Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, paralajmëroi në një intervistë mediatike gjithashtu se, opozita do të kushtëzojë marrëdhëniet me Kuvendin derisa ai të kthehet në shinat e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. “Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur gjë. Shqipëria po rrëshket, u blenë zgjedhjet e 25 qershorit, po rrënohet Reforma në Drejtësi, po rrënohet pakti i korrikut 2016 si dhe zhvillimet tejet negative për lidhjet e qeverisë me grupet kriminale. Ju e dini dosjen e Saimir Tahirit, i dini akuzat për kryebashkiakun e Durrësit dhe Elbasanit, kapjen e sistemit të drejtësisë dhe emërimin me dhunë të kryeprokurorit të përkohshëm. Nuk bëhet fjalë për përkohshmëri, por për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.