Paloka: Rama nuk po bën gjë tjetër veçse po thellon “varrin” e tij politik, duhet detyruar edhe me forcë tëlargohet

Nënkryetari i PD, Edi Paloka, në një intervistë për “Koha Jonë” analizon aksionin e opozitës për vitin që lamë pas dhe strategjinë që do të ndiqet gjatë vitit 2020.

Numri dy i PD-së shprehet askush në PD dhe opozitë nuk është “kundër përballjes me një pushtet të krimit”, por për shkak të çështjes së negociatave me BE dhe tërmetit të 26 nëntorit, “opozita u detyrua të bëj dy “armëpushime” për interesa madhore, por nuk ka bërë kurrë paqe me Ramën”.

I pyetur se cila është mënyra sesi mund të rrëzohet Edi Rama nga pushteti, Paloka shprehet: “Nëse më pyet për bindjen time personale, unë kam bindjen që Rama kurrë nuk do të lejojë me vullnetin e tij që shqiptarët të zgjedhin lirisht e në mënyrë demokratike, prandaj për t’ju krijuar këtë mundësi shqiptareve Rama duhet detyruar edhe më forcë!”.

Intervista ekskluzive e “KOHA JONË” me nënkryetarin e PD, Edi Paloka

Pyetje 1: Vitin e kaluar PD dhe opozita deklaroi se Ramen do ta rrezojmë. Por nuk u rrëzua! Edhe këtë vit kështu do deklarohet!?

1- Nëse me “rrëzim” të Rames, ju nënkuptoni që populli ta merrte zvarrë nga karrigia e tij e ta hidhte në Lanë, kjo vertetë që nuk ka ndodhur, por kjo nuk do të thotë aspak që opozita dështoi në qëllimet e saj, përkundrazi.

Mendoj se duhet pranuar nga kushdo që lëvizjet e forta opozitës dhanë rezultatet e tyre jo të vogla. Për këtë mjafton të krahasohen politikisht periudhat e dy viteve. Sot të gjithë thonë se Rama ka rënë po ka nga ata që harrojnë se ky është kontributi i opozitës.

Djegia e mandateve mëgjithëse e kontestuar fillimisht (jo më tani) bëri që minimalisht të rikthehej vëmendja tek rreziku që i kërcënohet demokracisë në Shqipëri.

Protestat masive ndërkohë mblodhen rreth opozites shumicen absolute të shqiptarëve dhe treguan se ky popull jo vetëm nuk e do më Ramen, por ai sot është pa asnjë dyshim kryeministri më i urryer në të gjitha trevat shqiptare.

30 qershori do të ishte goditja e fundit ndaj propagandes dhe demagogjisë së Rames i cili, pavarsisht situatës, vazhdonte të fliste për “krizë të opozitës që nuk kishte mbështetje në popull e prandaj kishte frikë të përballej me Ramen në zgjedhje…”

Me 30 qershor, jo vetëm shqiptarët, po e gjithë bota pa dhe u detyrua të pranojë se ashtu siç opozita kishte denoncuar, Rama nuk mund të shkëputej nga të inkriminuarit dhe vjedhja e zgjedhjeve edhe pse ishte i vetëm në votimet farsë që organizoi. E megjithatë, megjithë manipulimet, presionet dhe blerjet e votave, me 30 qershor u vertetua se të paktën 85% e shqiptarëve nuk e duan më Ramen në pushtet.

Pyetje 2: Ju shquheni për dorë të fortë opozitare ndaj Kryeministrit Rama. Jeni i vetëm apo keni kolegë të kësaj udhe radikale që pushteti i krimit të mposhtet me përballje frontale?

2-Në fakt kjo ka sjellë një situatë në dukje paradoksale sepse praktikisht kryeministri me mbështetjen më të ulët në vite, madje më i urryeri nga shqiptarët, ka sot në dorë dhe kontrollon të gjitha pushtetet. Jo vetëm kaq po çdo ditë ai përpiqet të forcojë mjetet dhe mënyrat e represionit. Sa më shumë humbet mbështetjen aq më shumë përpiqet të rrisë masat represive.

Unë jam i bindur që më këtë rrugë, Rama nuk po bën gjë tjetër veçse po thellon varrin e tij politik, ku tanimë është shtrirë sa gjatë dhe gjerë. Lëvizjet e tij i ngjajnë përpjekjeve të dëshperuara të Ramiz Alise në ‘91 kur me ligje e dekrete represive kërkonte t’i zgjaste jetën rregjimit .

Në fakt shqiptarët i morën zvarrë atëhere dhe monumentet e diktatorit dhe kufomat që vazhdonin të ishin në krye të rregjimit.

Për mua, ky fat e pret dhe Ramën nëse vazhdon në këtë rrugë.

Unë nuk mendoj se ka në PD apo dhe në opozitë nga ata që janë kundër përballjes me një pushtet të krimit si ky që përpiqet të mbajë Rama.

Në gjysmen e vitit të shkuar, opozita u detyrua të bëj dy “armëpushime” për interesa madhore, por nuk ka bërë kurrë paqe me Ramën.

Vendimi i BE për të mos i hapur negociatat Rames dhe vendosja e 9 kushteve si detyrim ndaj qeverisë, por dhe me një kërkesë për angazhim të opozites në realizimin e reformës zgjedhore solli “armëpushimin” e parë. Më pas katastrofa që shkaktoi tërmeti i 26 nentorit e angazhoi opozitën në detyra të natyrës humanitare.

Pra siç thashë, nuk ka patur kurrë asnjë tërheqje të opozitës në qëndrimet e saj ndaj kësaj qeverie, aq me tepër kur “Rama Ik” është bërë tanimë lajtmotiv i shumicës së shqiptarëve që jehon nga rruga, në stadiume e kudo!

Pyetje 3: Nëse mund të shpreheni hapur: në maj-qershor apo shtator-tetor filloni si opozitë protestat?

3-Siç ju thashë më lart, Bundestagu dhe BE , në kushtet që i kanë venë qeverisë Rama, kanë përfshirë dhe ndryshimet në Kodin zgjedhor si një hap të parë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakoheshme. Në këtë pikë angazhimi i opozitës është një detyrim dhe për këtë ne jemi angazhuar seriozisht. Brenda pak ditëve opozita do të paraqesë propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke plotesuar kështu dhe këtë detyrim të saj.

Ndërkohë Rama, që e ka të qartë se plotesimi i kushteve të Bundestagut, praktikisht sjell largimin e tij nga pushteti, po bën çdo gjë për të penguar reformen zgjedhore me shpresë se kështu do të shtyjë dhe zgjedhjet e parakoheshme.

Në fakt edhe ai e ka të qartë se kriza nuk mund të zgjatet më shumë dhe zgjidhja e saj vjen vetëm nëpërmjet zgjedhjeve. Çdo rrugë tjetër do të kishte pasoja të rrezikshme. Në këto kushte unë nuk mund të percaktoj në se dhe kur do të fillojnë protestat, por e them me siguri se në se Rama i heq të drejtën dhe këtë shanc të fundit vetes për të vepruar si një njeri normal (se ti kërkosh të veprojë si shtetar është shumë) atëhere sigurisht që do të përballet me forcën. Rrugë tjetër nuk ka!

Pyetja 4: E fundit: jeni partizan i idesë se Rama rrëzohet vetë nga mbipushteti apo nga përballja dhëmbë për dhëmbë?

4-Në se më pyet për bindjen time personale, unë kam bindjen që Rama kurrë nuk do të lejojë me vullnetin e tij që shqiptarët të zgjedhin lirisht e në mënyrë demokratike, prandaj për t’ju krijuar këtë mundesi shqiptareve Rama duhet detyruar edhe me forcë! /Intervistoi Nikoll Lesi, Koha Jonë/

Exit mobile version