Pasi u thye afati i parë që ishte marsi, Reforma në Drejtësi po përjeton një tjetër ngërç politik. Opozita është e vendosur ta përmbyllë këtë reformë sipas kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Por për të shkuar drejt finalizimit të kësaj rruge, ai parashtron dy kushte që Paloka thotë se, nuk janë të Partisë Demokratike, por detyrime kushtetuese. “Kemi bërë të qartë se pa u zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pa u zbatuar marrëveshja e dhjetorit 2014 nuk mund të bëjmë hipokrizi dhe të luajmë sikur po bëjmë Reformë në Drejtësi. Janë detyrime kushtetuese që ka mazhoranca, jo kushte të PD”, shprehet Paloka. Edhe për letërkëmbimin mes Ramës dhe Bashës, i cili nuk prodhoi asnjë rezultat, Paloka e ka një përgjigje. “Nëse Rama kërkon të ulet në tryezë për të diskutuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kjo nuk ka sens. Duhet të tregojnë që kanë vullnetin që janë dakord të zbatojnë vendimet, të zbatojnë ligjin dhe pastaj ne jemi të gatshëm. Jemi ne që kemi bërë ftesa. Mbi 30 ftesa ka bërë kryetari i PD-së”, u shpreh kreu i Grupit parlamentar demokrat. “Me këtë qeveri, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje, situata vetëm është përkeqësuar. Megjithatë zgjedhjet e parakohshme ose jo nuk është se varen nga opozita. Me një qeveri që drejtohet nga dyshja Rama-Meta nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Paloka. Në fund, ai parashtron edhe 4 pikat që do të zgjidhnin ngërçin dhe nuk do të shkelmonin negociatat me Bashkimin Europian. “Janë disa pika që pa u realizuar jo vetëm integrim nuk mund të ketë, por nuk mund të ketë as një hap përpara Shqipëria. Zbatimi i vendimeve të gjykatave, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe dialogu dhe konsensusi për Reformën në Drejtësi. Këto katër pika Komisioneri Hahn i tha qartazi, duhet që mazhoranca të ketë veshë dhe të dëgjojë”, shprehet ai. Reforma në drejtësi është kushti kryesor që politika shqiptare duhet të përmbushë dhe për realizimin e të cilës është angazhuar edhe faktori ndërkombëtar.
Kryesore
Continue to the categoryBuxheti i 12-të dhe dallaveret e Edi Ramës
Nga Gentian Gaba
Buxheti i 12-të i dalë nga kuzhina e Edi Ramës, parashikon rritje minimale për pensione. Ka bërë rrush & kumbulla miliona euro...