Grupimi i Lulzim Bashës po përgatit padinë për shfuqizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në Gjykatën Kushtetuese.
Kështu tha deputetja Oriola Pampuri, në studion e lajmeve të MCN Tv.
“I ka rënë vlera çdo lloj premtimi dhe britme, nga momenti që është votuar amnistia penale për të liruar të korruptuarit që do përdoren në fushatë. Nga momenti që u bashkuan votat për reformën zgjedhore, nga këtu ka rënë çdo lloj teze tjetër.
Po bëhet gati dokumentacioni, do të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese. Alibeaj vendosi të merrte atë vendim personal, ne kemi strukturat tona, mbështetësit tanë që kemi diskutuar në korrik e gusht dhe kemi vendosur që këtë çështje ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese, ne.
E votuam propozimin e Mediut për listat e hapura, jemi pro çdo nisme që ka të bëjë me listat e hapura.
Bashkuan votat për një reformë zgjedhore pa rënë dakord për koalicionet. Hoqën dorë nga gjithçka që një grup i vockël të ruajë karriget e veta.”
Pampuri tha se PD-Demokratët Euroatlantikë do të jenë të përfaqësuar në zgjedhjet e 2025 ndërkohë që ka nisur puna në terren. Sipas deputetes do të jetë vendimi i Gjykatës së Lartë ajo që do të bëjë ndarjen përfundimtare, atë të krijimit të një subjekti të ri politik apo jo.
“Kur ne vlerësuam së bashku me juristët që ky vendim i Apelit është i padrejtë dhe jo i analizuar në themel kemi menduar që t’i bëjmë rekurs. Gjykata e Lartë e mori në shqyrtim, ka vendosur relatorin dhe besoj do vendoset trupi gjykues. Kjo nuk mjafton, nuk e shihnin të arsyeshme që paralelisht ne të largoheshin ndërkohë që kërkonim një të drejtë për vulën. Në momentin që do kemi një vlerësim të Gjykatës së Lartë padyshim do të jemi një alternativë me një subjekt të ri, apo pjesë e një lëvizje me parti të tjera. E kemi vlerësuar por do ta bëjmë publike kur t’i vijë koha. Pa dalë një vendim nga Gjykata e Lartë, ne kemi një program që do e prezantojmë në terren, nuk jemi peng që do presim vulën, kemi punë intensive. Ne nuk do e lëmë që PD-Demokratët Euroatlantikë të jenë të papërfaqësuar në zgjedhjet e 2025.”