Pampuri: Fund pandëshkueshmërisë, që Shqipëria të ketë zhvillimin që meriton

Nënkryetarja e Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, Orjola Pampuri, në një postim në facebook, thekson se pas 34 vitesh tranzicion, politika vijon të mbajë peng drejtësinë, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Pampuri thotë se shkaktare është klasa politike, pasi pavarësisht premtimeve është përgjegjëse për gjendjen aktuale dhe emigrimin masiv të shqiptarëve.

Ajo thekson se ndërtimi i një Shqipërie më të drejtë dhe të zhvilluar kërkon, forcimin e drejtësisë dhe garantimin e pavarësisë së saj, ndëshkimin real të politikanëve të korruptuar dhe konfiskimin e pasurive të tyre; Rritjen e transparencës dhe zbatimin e vettingut për politikanët dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si qeveriset vendi, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi përfitimet personale.

Pampuri shton se një shtet ligjor dhe i drejtë do të sillte më shumë besim tek institucionet, do të nxiste investimet dhe do të përshpejtonte rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Sipas saj, fundi i pandëshkueshmërisë nuk është i pamundur, por kërkon vullnet politik dhe një shoqëri aktive për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Postimi i plotë i Orjola Pampurit:

* E ardhmja e Shqipërisë është vendimtare tashmë pas 34 vitesh tranzicion, ku politika mbante peng drejtësinë, ku politikanë të së njëjtës sërë e me të njëjtat halle, mbajnë njëri tjetrin, ku kusuret e tyre u rëndojnë mbi supe shqiptarëve, ku disa vuajnë ende sot këtu pagat e ulëta, mungesën e meritokracisë, taksat e larta, pensionet skandaloze, ndërsa shumë të tjerë janë larguar.

* Sot pikërisht ata politikanë që ua bënë të pamundur jetesën në Shqipëri, turren t’i mbledhin e t’i tregojnë përralla e premtime boshe pikërisht autorët e tranzicionit 34 vjeçar, pikërisht ata që ua bënë të pamundur gjithçka në vendin e tyre.

• Këta lloj politikanësh duhet të kuptojnë një herë e mirë që siç i njohin e ua dinë tashmë të vërtetat shqiptarët në Shqipëri, ashtu edhe ata në diasporë nuk kanë harruar pse janë larguar nga Shqipëria.

Fundi i pandëshkueshmërisë dhe barazia e politikanëve përballë ligjit janë thelbësore për ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë dhe të zhvilluar.

1. Forcimi i drejtësisë dhe pavarësia e saj – Reforma në drejtësi duhet të zbatohet plotësisht, duke siguruar që SPAK, BKH dhe institucionet e tjera të jenë të pavarura dhe të fuqizuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht këdo.

2. Ndëshkimi real i politikanëve të korruptuar – Nuk mjafton vetëm hetimi i disa rasteve, por duhet të ketë dënime të qarta dhe konfiskim të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

3. Më shumë transparencë dhe llogaridhënie, prioritet vettingu i politikanëve.

4. Për të pasur një Shqipëri më të mirë, duhet të ketë një ndryshim në mënyrën se si politikanët e shohin pushtetin – si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jo si një mjet për përfitime personale.

• Një shtet ligjor dhe i drejtë do të krijonte më shumë besim tek institucionet.
• Investitorët do të ndiheshin më të sigurt për të investuar në Shqipëri.
• Do të zvogëlohej pabarazia sociale dhe qytetarët do të kishin një qeverisje më të përgjegjshme.
• Shqipëria do të përshpejtonte rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Fundi i pandëshkueshmërisë nuk është i pamundur, por kërkon vullnet politik, drejtësi të fortë dhe një shoqëri aktive. Vetëm kështu Shqipëria mund të bëhet një vend më i drejtë dhe më i zhvilluar për të gjithë!

#ShqipëriaMeritonMëShumë

Exit mobile version