Vala e rekrutimeve me bujë, aktorëve, gaztorëve dhe këngëtarëve në Partinë Socialiste, me video, foto, ngjyra, deklarata nga ana e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, duket se nuk po jep efektin e dëshiruar tek qytetarët, pasi lajme të zymta publikohen nga institucione ndërkombëtare.
EASO, Zyra Europiane e Azilantëve, ka bërë të ditur këto ditë se numri i azilkërkuesve shqiptarëve është rritur ndjeshëm dhe për nga numri i popullsisë, shqiptarët që arratisen nga vendi i tyre, renditen të dytët në botë pas sirianëve që arratisen nga lufta.
Ish-deputetja e PD, Orjola Pampuri shkruan në një reagim në faqen e saj sociale Facebook se, për fatin e keq të gaztorëve, “dielli nuk mbulohet me shoshë”. “Dështimin nuk mund t’ua mbulojnë më as këngëtarët, as miss-et, as showmenet, as valltaret.
Tek e fundit secili prej tyre është i respektuar në punën e profesionin e tij a të saj, por e gjitha kjo zbehet kur vihet në funksion të tjetërsimit të realitetit. Realiteti është krejt ndryshe dhe shqiptarët nuk mund të gënjehen më”, shkruan Pampuri dhe publikon statistikat e EASO.