“Panama Papers” të korruptuarit dhe kriminelët nuk do të mund të flenë

Rrjedhja e mbi 11 milionë dokumenteve nga një firmë ligjore në Panama ka zbuluar se si elitat globale, përfshirë bashkëpunëtorë të Presidentit rus, Vladimir Putin, kanë të fshehura shuma të mëdha parash.
Në lidhje me këtë çështje, korrespondenti i Radios “Evropa e Lirë”, Pamir Sahill, ka biseduar me zotin John Christensen, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Drejtësisë Tatimore, që është një mekanizëm i pavarur ndërkombëtar.

– Si e interpretoni rrjedhjen e Letrave të Panamasë (Panama Papers)? A është ky një zbulim i habitshëm?
Mendoj se Letrat e Panamasë janë një nga rrjedhjet më të mëdha të kohës moderne. Janë rrjedhja e parë e madhe nga një firmë ligjore, që ka çuditur shumë njerëz. Miliona letra janë zbuluar dhe vazhdojnë të zbulohen.
Ato përfshijnë njerëz të nivelit shumë të lartë, jo vetëm politikanë, por edhe njerëz të biznesit dhe elita në gjithë botën. Mendoj se kjo rrjedhje është në të njëjtën shkallë me zbulimet e Edward Snowdenit (ish-kontraktor i inteligjencës amerikane, i cili ka publikuar dokumente sekrete të SHBA-së), sepse ajo zbulon nivelin e korrupsionit në mes të elitave globale, politike dhe të pasura.
Ky korrupsion ka vazhduar me dekada. Kjo është hera e parë që kemi një zbulim në këtë shkallë.

– Dhe, kur politikanët dhe elitat bëjnë përpjekje të krijojnë kompani jashtë vendeve të tyre ose t’iu shmangen taksave, a është kjo ligjore?
Le të jemi krejtësisht të qartë. Evazioni fiskal është i paligjshëm në të gjitha rrethanat. Edhe kur shmangia e taksave ndodh përmes strukturave jashtë vendit, pothuajse në të gjitha rastet, edhe kur apelohet në gjykatë, del të jetë e paligjshme.
Mendoj se publiku e di këtë shumë mirë. Publiku e di se kur njerëzit krijojnë struktura jashtë vendit, kompani jashtë vendit ose besim në juridiksionet si ato të Panamasë, kjo është diçka e paligjshme ose korrupsion.

– Pra, kompanitë jashtë vendit janë të paligjshme?
Jo, e keqja është se kompanitë jashtë vendit janë ligjore. Problemi real me kompanitë jashtë është fakti se vendet si Panamaja nuk kërkojnë që pronarët, pronarët e vërtetë të kompanive jashtë vendit të bëjnë të ditur identitetet e tyre.
Kompanitë si Mossack Fonseca, nga e cila kanë rrjedhur Letrat e Panamasë, sigurojnë emrat e aksionarëve dhe emërojnë drejtorët. Këta janë njerëz që japin emrat e tyre për të vepruar si drejtorë ose aksionerë, për të fshehur identitetin e njerëzve të vërtetë. Kjo është ajo pjesa tronditëse në lidhje me kompanitë jashtë vendit, që nuk bëjnë të ditur identitetin e njerëzve të vërtetë që fshihen prapa kompanive jashtë vendit.

– Rrjedhja e letrave është duke vazhduar. A mendoni se do të ketë reagim të madh nga njerëzit në gjithë botën?
Shpresoj shumë që publiku në të gjitha vendet e botës do të nisë të bëjë presion serioz mbi politikanët, që të ndërmarrin hapa. Çfarë hapash kërkojmë ne? Para së gjithash, duam një traktat global ose kërkesë që çdo juridiksion në botë të krijojë një regjistër publik të pronësive të kompanive jashtë vendit dhe të fondacioneve jashtë vendit. Kjo nuk do të ndodhë derisa politikanët të mos detyrohen nga publiku për të ndërmarrë hapa, sepse shumë politikanë janë vetë ose i kanë familjet e tyre të përfshira në struktura jshtë vendit.
Ata do ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur të kenë presion nga publiku, presion real global. Për dekada të tëra, politikanët kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime kundër parajsave të taksave dhe nuk kanë bërë asgjë. Tani është koha. Rrjedhjet nga Panamaja janë zile alarmi për pjesën tjetër të botës, që të ndërmarra hapa.

– Si e shihni të ardhmen e këtyre firmave ligjore? A mendoni se elitat financiare dhe politike të botës do të jenë tani më të kujdesshme kur të transferojnë para jashtë vendit?
Le të shohim. Politikanët, tregtarët e drogës dhe të gjithë njerëzit e tjerë që kanë përdorur kompani jashtë vendit, kanë qenë të kujdesshëm. Ata kanë operuar në atë mënyrë që firmat ligjore të mbrojnë identitetin e tyre.
Kjo do të bëjë që shumë njerëz të mos flenë në javët e ardhshme, sepse ata e dinë se nuk do të mund të mbështeten më në firmat ligjore. Mendoj se, kriminelët dhe eliatat e bizneseve, ashtu si edhe elitat e pasura në gjithë botën, që u janë shmangur tatimeve dhe nuk i kanë zbuluar konfliktet politike të interesit, nuk do të mund të flenë, sepse niveli i sekretit që kanë pasur për dekada të tëra, nuk mund të garantohet më.

Artikulli paraprakGruaja e Komisionerit të BE në skandalin “Panama”
Artikulli tjetërShqiptarët depozituan jashtë vendit 114 milionë euro më 2015