Pandemia e vetmisë prek Shqipërinë!

Rrethohemi nga shumë njerëz, por sa shpesh ndihemi të vetmuar. Vetmia është cilësuar së fundi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si pandemi globale.

OBSH e konsideron vetminë si një kërcënim serioz për shëndetin, ndërsa një studim e krahason efektin e vetmisë në vdekshmëri me konsumin e 15 cigareve në ditë.

“Fakti që një në tre amerikanë, sot nuk dinë emrin e fqinjit që kanë përballë ose pranë. Kjo po shfaqet edhe në vendin tonë si dikuri. Nëse pak kohë më parë ne kishim stresin si problemin më të madh, tani stresi është një faktor që stimulon situata të tilla problematike si vetmia”.

Kështu shprehet sociologu Edmond Dragoti, që e konsideron vetminë një problem të kohës, që po vjen duke u shtuar.

“Është një brez që është formuar si pasojë e ndikimit të faktorëve bashkohorë, sikurse janë rrjetet sociale, teknologjia e informacionit, nevojat e kulturës individualiste që po zhvillohet me shpejtësi edhe në vendin tonë”.

Vetmia sociale është nevoja për t’u distancuar nga problemet e kohës, sipas ekspertit, që na tregon shkaqet e këtij problemi social.

“Faktorët kryesorë janë ata që lidhen me çrregullimet mendore, sikurse janë stresi, ankthi, që shpesh i kap njerëzit”.

Ndjenja e vetmisë ul vetëvlerësimin dhe izolon të rinjtë nga shoqëria.

“Të rinjtë sot nuk protestojnë, edhe për shkak të vetmimit. Kanë mungesë interesi për problemet që i takojnë komunitetit. Këto vijnë për shkak të pranisë së vetmisë gjithnjë e më shumë, si pasojë e faktit se në kulturën e sotme, individualizmi është tendenca bazë, që përqafohet nga brezi i ri”.

Por, si të dalim nga skutat e vetmisë?

“Pjesëmarrja në mjedise ose në grupe shoqërore. Është socializimi i individit, të bëhesh pjesë e interesave të grupit, të ndash me ta, të kontribuosh në statusin e një grupi të caktuar. Vetëizolimi shmanget edhe me lidhjen e njeriut me natyrën, si ecjet apo shëtitjet në natyrë”.

Elementë të kulturës sonë si shtrëngimi apo përqafimi duket se janë zbehur, por teksa festat e fundvitit janë afër, bashkë me atmosferën e ngrohtë që sjellin. Ndaj, mos nguroni të përqafoni njerëzit tuaj të dashur e të kaloni më shumë kohë pranë miqve dhe familjes.

Sara Hila/ TCH

Exit mobile version