Ka nisur të shtohet lista e pretendentëve për kombëtaren angleze të futbollit e mbetur pa një timonier pas largimit logjik të Roy Hodgson në fundin e një Europiani të dështuar për “3 Luanët”. Së fundmi, për ekipin ishullor po diskutohet mundësia e emërimit të gjermanit, Jurgen Klinsman, një emër mjaft i njohur për futbollin europian, i cili drejton aktualisht kombëtaren e SHBA.
Ish-sulmuesi karizmatik i përfaqësueses së “Pancerave”, sipas mediave është në diskutime për t’u rikthyer sërish në futbollin europian pas largimit nga kombëtarja e Gjermanisë, kur i la vendin Joachim Lov. Jurgen Klinsmann ka një reputacion më të mirë në Angli sesa në SHBA, ku futbolli është sporti i tretë apo i katërt në radhën e vëmendjes.
Nëse këtyre diskutimeve i shtohen edhe bonuset e majme financiare, atëherë vërtet që për gjermanin rriten kuotat për t’u ulur në stolin ku kanë dështuar me radhë disa trajnerë, më i fundit Hodgson në Euro 2016. Klinsmann nëse pranon ofertën e federatës do të kishte shansin e një starti të ri për të përgatitur ekipin për Botërorin 2018, me të vetmen notë negative presionin e jashtëzakonshëm nga mediat dhe tifozët.
Një tjetër kandidaturë për pankinën e Anglisë është Sam Allardyce, 61-vjeçari që drejton aktualisht ekipin e Sandërlendit në Premier League. I pagëzuar nga mediat si “Big Sem”, ai gjithsesi nuk ka prestigjin e Klinsmann dhe mbështetjen e tifozëve.