Pankinë e shkurtër dhe pak zgjedhje

Milani ndezi ëndrra të bukura te tifozët, por ndoshta edhe te vetë grupi kuqezi pas suksesit ndaj Juventusit, një triumf në stadiumin “San Siro” që vlente më shumë sesa tri pikë. Por pikërisht atëherë kur dukej se skuadra e Vinçenco Montelës kishte gjetur vazhdimësinë e rezultateve pozitive, pasi shënoi 5 fitore dhe 1 barazim (nga 15 shtatori deri më 22 tetor), të martën në mbrëmje, të gjitha këto shpresa u copëtuan. Disfata 3-0 me Xhenoan mund të quhet një aksident nga ana e trajnerit kuqezi, por ajo ndeshje tregoi më së miri limitet që ka ky grup për të tentuar një objektiv madhor si ai i titullit kampion.
Ndoshta dikush në “Milanelo” kishte nisur të besonte realisht te kjo mundësi, por kur mund Juventusin dhe i shton vetes një dozë të madhe adrenaline dhe 72 orë më pas, bie keqazi në Xhenova, qoftë edhe në transfertë, ky është një sinjal se diçka i mungon këtij grupi, për të garantuar një udhëtim të qetë në katet e larta të renditjes. Është normale që në një kalendar të ngjeshur, trajneri i një skuadre të vendosë të bëjë rrotacion, për t’u dhënë mundësi lojtarëve që të karikojnë energjitë. Por, në rastin e Vinçenco Montelës, pikërisht zgjedhjet për të lënë pushim disa prej titullarëve të tij ishte një nga “mëkatet” që e dërguan te disfata.
Ndoshta rrotacion mund të ketë, por nëse vendos të ndërrosh thuajse të gjithë korsinë, e cila shihej si një ndër pjesët më të forta të zinxhirit të lojës, atëherë këtu edhe vetë trajneri duhet të mbajë peshën e tij. Kundër Xhenoas, ai që nuk funksionoi absolutisht ishte krahu i djathtë. Në stadiumin “Marasi”, lënia jashtë e Abates dhe Susos ishte diçka e tepruar ndoshta për t’i hapur vend respektivisht Polit dhe Hondës.
Këto zëvendësime në formacion ndikuan jo pak në lojë, duke parë se në fund të takimit, si Poli, një mesfushor shkatërrues i eksperimentuar si mbrojtës i djathtë, ashtu sikurse Honda, u vlerësuan me notën më të ulët. Por të fajësosh Vinçenco Montelën për zgjedhjet e bëra në formacion, kur ndeshja mbaron, kjo është tepër e lehtë, sepse gjykimi shtyhet edhe nga rezultati. Fundja, trajneri i Milanit ka një pankinë shumë të shkurtër në dispozicion, por kur kësaj i shtohen edhe dëmtimet e lojtarëve si Andrea Bertolaçi, Mati Fernandez, Luka Antoneli, Rikardo Montolivo dhe Gabriel Kalabria, atëherë është normale që zgjedhjet për trajnerin të ngushtohen bindshëm dhe rrotacioni të bëhet më i vështirë për t’u pranuar në rast humbjeje. Prandaj, ky Milan, i cili po ecën mirë kundrejt parashikimeve, e ka të domosdoshme që në janar të bëjë disa ndërhyrje në merkato.

Artikulli paraprakHiguain premton
Artikulli tjetërAubamejang: Derbi na elektrizon