Shqipëria ka zhgënjyer totalisht në miqësoren me Kosovën. Lojtarët kuqezinj dukeshin sikur ishin future me zor në fushën e lojës, ndërsa mungonte tërësisht organizimi. Në situata të tilla, kur edhe miqësorja pararendëse me Norvegjinë tregoi të njëjtat shenja, me të drejtë ka vend për alarm. Me të drejtë ngrihet pyetja: Çfarë po ndodh?! Trajneri është ai që merr përgjegjësitë kryesore në futboll dhe Cristian Panucci e bëri këtë gjë mbas disfatës 3-0 me Kosovën, por a ka kohë për të vijuar në këtë rrugë pa krye, kur eliminatoret fillojnë në shtator? Panucci, duke folur për mikrofonin e “Supersport”, dha këtë intervistë.
Prisnit një reagim pas Norvegjisë, por nuk e morët. Cilat ishin arsyet e humbjes me Kosovën?
Arsyet e kësaj humbjeje janë se nuk kemi luajtur, nuk kemi vrapuar dhe nuk kemi vënë zemrën në fushë. Nuk kemi treguar asgjë dhe unë marr të gjitha përgjegjësitë. Të gjitha kritikat e botës janë shumë të drejta.
A kemi kohë për të ndryshuar deri në shtator?
Duhet të rrimë të gjithë të qetë, por edhe të shqetësohemi, për të mos shkatërruar gjithçka. Kemi vuajtur sot, më shumë se kundër Italisë dhe Spanjës, ndaj duhet të administrojmë këtë moment.
Shqipëria eksperimentale, apo e vërteta?
Unë shpresoj që të mos jetë e vërteta, sepse realisht e kërkova që të mos e karikoj shumë skuadrën. Nuk doja të shtynim shumë, sepse mendova që kundër Kosovës nuk ishte shumë e domosdoshme ta bënim këtë. Kemi dhënë një shfaqje shumë të shëmtuar për të besuar se kjo është Shqipëria ime, ndonëse marr përgjegjësitë e mia.
A mendoni se lojtarët nuk ishin në pozicionet e tyre?
Disa prej tyre jo, si Ndoji që luante në të majtë. Lenjani nuk ishte mirë, ndërsa Memolla nuk ka luajtur, ndaj më duhej të improvizoja pozicione të tjera për lojtarë të caktuar.
Kush është mbrojtësi i majtë i Shqipërisë?
Ka luajtur Lika, që luan në të djathtë te Grasshopers, sepse Lenjani dhe Memolla nuk janë mirë dhe sepse nuk kemi 150 alternativa në atë pozicion.
Pse këto zëvendësime dy minuta para fundit të pjesës së parë?
Kamer Qaka në minutën e 30-të kërkoi ndërrim dhe më pas performoi shumë keq, ndaj u detyrova. Aspekti taktik është gjëja e fundit që vlen, sepse nëse nuk luan me zemër, me zjarr dhe me dëshirë, atëherë do të humbasësh me këdo që do të kesh përballë. Është gjëja më e shëmtuar për mua si trajner, pasi mund të humbasësh, por jo kështu si sot.
Jeni gati ta ndizni këtë zjarr?
Po, po. Përgjegjësinë për ndeshjen e sotme e mbaj vetëm unë, pasi deri tani kam lënë më shumë liri në punën në stërvitje. Marr përgjegjësitë dhe do të filloj të ndryshoj situatën. Ju premtoj se ndeshje si kjo nuk keni për të parë më, por mos u merrni me lojtarët. Merruni me mua, pasi unë jam përgjegjësi i vetëm.
Pse nuk merrni mbrojtës të majtë nga Superliga?
Skuadra është dhe është e bukur. Kombëtarja nuk është një vend pune, por një çështje zemre dhe karakteri, të cilat sot ne nuk i kishim aspak.