Christian Panucci, trajneri i kombëtares kuqezi, ka publikuar listën e lojtarëve, që do të ketë në dispozicion për dy ndeshjet e radhës, të muajit nëntor; ndaj Skocisë dhe Uellsit. E para është ndeshje zyrtare, në kuadrin e Ligës së Kombeve, dhe do të luhet më 17 nëntor, ora 20:45, në “Loro Boriçi”, ndërsa e dyta është miqësore dhe do të luhet në “Elbasan Arena”, në orën 20:00, tri ditë më vonë.
Interesant është fakti se trajneri i kombëtares sonë ka ftuar Loret Sadikun, një futbollist i zbuluar e thirrur më herët nga De Biazi, që iu dha edhe pasaporta shqiptare, por pastaj ndryshoi mendje dhe iu bashkua Kosovës. Por, vendimi i fundit i FIFA-s, se ai ka të drejtë të luajë vetëm me Shqipërinë, me asnjë kombëtare tjetër (kishte përfaqësuar edhe Suedinë me kombëtaret e moshave), duket se e ka imponuar mesfushorin e Kasimpasa në Turqi për t’iu rikthyer ngjyrave kuqezi.
Në fund të fundit, iu rikthehet atyre ngjyrave të kombit të tij, sikurse deklaronte në fillim. Një shans i dytë për të, që tejkalon polemikat dhe duhet merituar në fushën e lojës. Në fakt, Sadiku nuk luajti asnjë ndeshje me Shqipërinë, duke vendosur të kthehet në Kosovë, ku u aktivizua në katër ndeshje. Por, pas pranimit të pëfaqësueses së shtetit më të ri në Ballkan në FIFA dhe UEFA, atij nuk iu lejua të luante me verdhekaltrit. FFK u mundua që ta ftojë, por nuk ka arritur, sikurse nuk ka arritur as Suedia, sepse kanë marrë përgjigje negative nga FIFA.
Më 22 gusht 2013, Loret Sadiku deklaronte për mediat suedeze: “Kam vendosur të luaj për Shqipërinë dhe Suedia duhet të më harrojë. Unë kam dëshirë të luaj për ngjyrat e kombit tim. Shqipërinë e kam në zemër. Në shtator më është premtuar nga De Biazi që do të jem në fushë, në dy ndeshjet që përfaqësuesja e Shqipërisë do të ketë ndaj Sllovenisë dhe Islandës. Dua të jap kontributin tim për ngjyrat kuqezi”.
Po ashtu, prurje e re e Panuccit për këto dy ndeshje është Ardian Ismajli, mbrojtës i Hajdukut të Splitit, deri dje kapiten i Kosova U-21. Rikthim në mbrojtje kemi edhe për Ivan Balliun. Konfirmohet me Shqipërinë edhe Kastriot Dermaku, edhe ky i ardhur nga kombëtarja e Kosovës, për shkak të problemeve me aktivizimin atje.
Pjesa tjetër e lojtarëve janë të njohur dhe kanë qenë të grumbulluar për ndeshjet e kaluara, përfshirë edhe të riuan Giacomo Vrioni, që debutoi disa minuta me kombëtaren e madhe në sfidën e fundit kundër Skocisë. Janë 26 emra, të cilët, gjatë ditëve të seancave stërvitore në Durrës, duhet ta bindin trajnerin Panucci për të luajtur në formacion, apo për të qenë në 18-she, fillimisht ndaj Skocisë dhe pastaj ndaj Uellsit. Në miqësoren me këtë të fundit, patjetër që do të ketë vend për më shumë hapësirë, sepse lejohen më shumë se tri zëvendësime.