Trajneri Christian Panucci do ta publikojë sot listën e lojtarëve kuqezinj, që do të ketë “nën armë” për miqësoren e 26 marsit, në “Elbasan Arena”, ndaj Norvegjisë. Megjithatë, ftesat përkatëse kanë ditë që janë nisur në klubet respektive, të atyre që do të jenë pjesë e kombëtares për këtë test miqësor. Është Benevento, që militon në Seria A, e cila ka zbardhur “mungesën” e parë të titullarëve të përhershëm, pikërisht Ledian Memushajn. Vlonjati nuk është ftuar nga Panucci për këtë miqësore, ndërsa bashkëlojtari tjetër, Berat Gjimshiti, po. Mesfushori vlonjat 31-vjeçar nuk është i dëmtuar, si Amir Brashi, fjala vjen, por mungesa e aktivizimit me Beneventon ka bërë që të humbasë edhe rolin e të padiskutueshmit në kombëtare. Memushaj e ka humbur pozicionin e titullarit edhe në planet e trajnerit De Zerbi, ndryshe nga mbrojtësi ynë kuqezi, Berat Gjimshiti, që është lojtar fiks. Në gjithë këtë kampionat, Memushaj është aktivizuar në 17 ndeshje, por si kohë të plotë ka 1261 minuta lojë.