PAOK dhe Kaçe ende larg

Çfarë po ndodh me Ergys Kaçen? Mesfushori shqiptar që aktualisht është pjesë e skuadrës së PAOK-ut nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët me klubin nga Selaniku për rinovimin e kontratës që skadon në fund të sezonit që do të nisë. Sipas mediave helene, në zyrat e klubit bardhezi nuk janë kundër largimit të 23-vjeçarit shqiptar, por ende nuk ka mbërritur një ofertë konkrete. “E vërteta është se palët nuk kanë arritur një marrëveshje ekonomike që t’i kënaqë të dyja palët”, shkruan “Sportdog.gr”. Në këtë mënyrë, PAOK ka nisur të mendojë për pasuesin e shqiptarit dhe kërkon një lojtar grek.
Në radhë të parë qëndron 22-vjeçari i Panionios, Emmanouil Siopis, i cili ka rënë në sy gjatë sezonit të shkuar. Aktualisht, Kaçe nuk është grumbullur ende me skuadrën duke vazhduar pushimet pas Europianit. PAOK barazoi 1-1 në ndeshjen e parë eliminatore të raundit të tretë të Champions League kundër Ajax-it, por 23-vjeçari i lindur në Korçë nuk ishte pjesë e grupit. Ai do të mungojë edhe në takimin e kthimit, çka mund të jetë një sinjal për lamtumirën e mundshme të lojtarit nga PAOK-u, klubi ku u rrit profesionalisht.

Artikulli paraprakBasha njofton partnerët: Kartelet e drogës po paralajmërojnë akte terrori
Artikulli tjetërMigjen Basha pranë marrëveshjes me ekipin e Seria B