Papa Françesku është ndarë nga jeta në moshën 88 vjeçare pas problemeve shëndetësore, raporton ANSA.
Papa Françesku ndërroi jetë në Romë, në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pasi doli nga spitali Gemelli.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u dha nga Kardinali Farrell i cili deklaroi: “Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Në orën 07:35 peshkopi i Romës u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne e përgëzojmë shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit Një dhe Triuni.”
Dje, të dielën e Pashkëve, (20 Prill) ai mori pjesë në kremtimet e meshës dhe u shfaq në lozhën e Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi. Më pas zhvilloi turneun mes turmës për të përshëndetur besimtarët.
Jorge Mario Bergoglio, i lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës, ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike.
Jorge Mario Bergoglio ishte jezuiti i parë që u bë Papë dhe Papa i parë nga kontinenti amerikan.