Papa Françesku viziton Egjiptin

Papa Françesku arriti në Egjipt, ku komuniteti i vjetër i krishterë ballafaqohet me sulme të paprecedenta të militantëve të Shtetit Islamik (IS).
Në mesazhin e tij për popullin e Egjiptit më herët këtë javë, Papa ka shfaqur shpresë se vizita e tij do të ndihmojë në sjelljen e paqes dhe do ta stimulojë dialogun dhe pajtimin me botën islamike.
Kjo vizitë e Papës po bëhet në një periudhë të dhembshme për koptët e Egjiptit, që është komuniteti më i madh i krishterë në Lindjen e Mesme, vetëm tri javë pasi nga dy sulme vetëvrasëse të pjesëtarëve të IS-it në kisha vranë 45 vetë.
Këto sulme u bënë pas atij në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur nga bombardimi në një katedrale janë vrarë 28 vetë dhe një vargu të vrasjeve, të cilat kanë ndikuar që qindra persona të krishterë të largohen nga Sinai Verior, ku grupi ekstremist, Shteti Islamik, është shumë aktiv.
Përkundër shqetësimeve të sigurisë, Papa Françesku do ta përdorë makinën e tij të zakonshme për vizitën 72-orëshe në Kajro, në harmoni me praktikën e tij që t’u shmanget makinave të blinduara, me qëllim që të jetë më afër njerëzve.

Exit mobile version