Paqe mes Kontes dhe Diego Kostas

Diego Kosta i është kthyer dje stërvitjes me ekipin e parë të Chelsea-t dhe është pritur me një përqafim nga përgatitësi atletik Julio Tous, me të cilin ai kishte një zënkë në stërvitjen e javës së kaluar. Kosta u detyrua të stërvitej i vetëm gjatë ditëve të fundit, si dhe nuk mori pjesë në ndeshjen ndaj Leisterit. Por dje ai ishte si zakonisht në stërvitje ku u takua me trajnerin Konte dhe sidomos me Tous, i cili u bë shkaku i të gjitha problemeve në klub në javën e fundit.
Sipas mediave angleze, përballja mes tyre shtyu Antonio Konten që të përjashtonte sulmuesin spanjoll nga stërvitja dhe të merrte masë disiplinore ndaj tij, edhe pse Kosta kishte qenë praktikisht arma kryesore sulmuese për ekipin e tij në pjesën e parë të sezonit, ku realizoi 14 gola në kampionat.
Te Chelsea u frikësuan se mos spanjolli do të kërkonte transferimin, duke marrë parasysh një ofertë të çmendur që i erdhi nga Kina, ku do të përfitonte 30 milionë paund në vit te Tianzhin Quanzhin. Fraza “Ik në Kinë atëherë”, që aludohet se i ka thënë Konte gjatë zënkës së javës së kaluar, alarmoi edhe më shumë drejtuesit e klubit, të cilët insistuan që Kosta të kthehej në stërvitje sa më parë.
Për të evituar që një zënkë e tillë të ndikonte garën për titull, ku Chelsea është i përfshirë plotësisht dhe është në pozita mjaft të favorshme, klubi ka insistuar që mes palëve të arrihej kjo paqe, në mënyrë që të vazhdonte ky rrugëtim dhe çdo diskutim për largimin e sulmuesit të shtyhej për në verë.
Ndërkohë, Manchester City është jashtë garës për titull pas humbjes 4-0 ndaj Evertonit dhe këtë e pranon me gojën e tij trajneri Pep Guardiola. “Qytetarët” renditen 10 pikë pas kryesuesve të Chelsea pasi pësuan humbjen më të rëndë në kampionat në karrierën e Guardiolës në “Goodison Park”.
I pyetur nëse diferenca e skuadrës së tij me kreun ishte shumë e madhe, tekniku spanjoll tha: “Po, 10 janë shumë pikë. Por analizën do ta bëjmë në fund të sezonit. Vetëm atëherë do të vlerësojmë nivelin tonë, lojën tonë, si ishte trajneri, si ishin lojtarët dhe pas asaj do t’i vendosim notën këtij sezoni. Unë jam shumë i lumtur në Manchester”. Koeficienti i shkarkimit të 45-vjeçarit ka rënë në 17 nga 100 që ishte një muaj më parë.

Artikulli paraprakMallkimi i transfertave
Artikulli tjetër“10 ide për të ndryshuar futbollin”