Para zgjedhjeve karrotën, pas zgjedhjeve kërbaçin

Nga Namir Lapardhaja

Një nga taktikat më të njohura dhe të përsëritura të kësaj mazhorance është përdorimi i metodës së “karrotës dhe kërbaçit”, që vjen si pasojë e pushtetit dhe mundësive të mëdha për të ndikuar opinionin publik. Para zgjedhjeve, qeveria shfaqet bujare: falen gjoba, jepen bonuse për pensionistët, ndonjë rritje e vogël rroge, pavarësisht se nuk balancon as inflacionin, legalizohen ndërtimet pa leje, dhe administrata fryhet me punësime të përkohshme (të gjitha për të ‘blerë’ përkrahjen dhe për të ushqyer iluzionin e gënjeshtërt të kujdesit për qytetarët).

Por sapo mbyllet kutia e votimit dhe sigurohet fitorja, ndryshon gjithçka. Fillon kërbaçi: tatimi për personat fizikë rritet në 23%, automjetet konfiskohen për detyrime tatimore, dhe mijëra gjoba vendosen çdo ditë, në emër të ligjit sytë e të cilit ishin mbyllur qëllimisht para zgjedhjeve.

Kjo nuk është një histori e re. Është një cikël i njohur për shqiptarët, që fatkeqësisht kanë një kujtesë afatshkurtër. Gëzohen për momentin, marrin atë që iu jepet, por nuk arrijnë të bëjnë lidhjet e nevojshme për të kuptuar se këto janë veprime të qëllimshme, të planifikuara mirë, dhe të përsëritura. Derisa të mësojnë të shohin përtej karrotës, do të vazhdojnë të ndiejnë peshën e kërbaçit.

Exit mobile version