Paradite relaksi për kombëtaren

Futbollistët e kombëtares kanë mbërritur në Luksemburg. Programi i ditës parashikonte një mbledhje me grupin në hotelin ku janë akomoduar kuqezinjtë, por trajneri De Biasi ka preferuar t’iu bëjë një surprizë të këndshme. Duke qenë se këtë të shtunë ishte programuar vetëm një seancë stërvitore në orët e pasdites, trajneri ka organizuar një paradite të lirë relaksi duke iu komunikuar futbollistëve se orët në vijim do të mund të bënin një shëtitje në qendrën e Luksemburgut.
Në këtë mënyrë të gjithë futbollistët dhe stafi teknik kanë patur mundësinë që nga ora 10:30 deri në 12:30 të relaksohen duke kaluar kohën e lirë me shëtitje, shopping apo edhe duke konsumuar diçka në baret e shumta të qytetit.
Grupi i kombëtares ka ngjallur kërshërinë edhe të vendasve edhe turistëve që nuk kanë ngurruar të sigurojnë edhe një kujtim me djemtë e kombëtares shqiptare. Interesant është fakti se në Luksemburg kanë nisur të grumbullohen edhe tifozë shqiptarë, të cilët pritet të jenë prezentë në miqësoren që do të luhet në “Josy Barthel”.
Në kthimin në hotel, surpriza e radhës ka qenë Sokol Cikalleshi, i cili së bashku me Armando Sadikun janë bashkuar me grupin. Sulmuesi që shënoi të premten me skuadrën e tij Akhisar ka marrë komplimentet e shokëve të skuadrës dhe në veçanti ato të trajnerit Gianni de Biasi. Për sa i përket dy futbollistëve të tjerë, Jahmir Hykës dhe Azdren Llullakut, ata do të bashkohen me kombëtaren vetëm në Stamboll, zgjidhje kjo e preferuar edhe për shkak të largësisë gjeografike nga vendet ku luajnë, përkatësisht Shtetet e Bashkuara dhe Kazakistani.
E ardhmja e Ledian Memushajt do të vazhdojë të jetë në Serinë A italiane. Bologna nuk është skuadra e vetme që interesohet për të marrë shërbimet e kapitenit të Pescarës, skuadër që sezonin e ardhshëm do të luajë në Serinë B. Së fundmi në skenë ka dalë edhe Spali, ekip i sapongjitur në elitën e futbollit italian. Drejtuesit e skuadrës nga Ferrara e pëlqejnë së tepërmi mesfushorin e kombëtares shqiptare, i cili me shumë gjasa do të largohet nga klubi abrucez në merkaton e verës.
Mediat italiane raportojnë se Spal po lëviz për Memushajn edhe pse Bologna qëndron në pole position për të marrë shërbimet e 30-vjeçarit nga Vlora. Trajneri i Spal-it Leonardo Semplici dëshiron një futbollist të fortë, me eksperiencë, të ketë vizion loje dhe të dijë të godasë portën.

Artikulli paraprakFokusi tek ndeshjet
Artikulli tjetërAgjërimi me frymë dhe shpirt