Paradoksi i Ramës në takimet me diasporën

Gjatë 11 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka përjetuar eksodin masiv më të madh të popullsisë, duke regjistruar largimin e rreth 600 mijë deri në 700 mijë qytetarëve. Kjo shifër tronditëse është më shumë se gjysma e atyre që janë larguar gjatë tri dekadave të fundit. Kjo e bën Ramën në eksportuesin më të madh të shqiptarëve nëpër botë.

Paradoksi i kësaj situate qëndron në faktin se kryeministri takon shqiptarët që në shumicë janë larguar nga vendi si pasojë e keqqeverisjes së tij. Ndërkohë që ai promovon Shqipërinë si një vend me potencial të madh turistik dhe zhvillimor, shqiptarët vijojnë të largohen jo thjesht për të gjetur një rrogë më të mirë, por për shkak të mungesës së sigurisë, shërbimeve bazike dhe një sistemi të degraduar.

Sistemi arsimor është shkatërruar dhe është thellësisht i politizuar, duke i lënë të rinjtë pa perspektivë reale për zhvillim personal dhe profesional brenda vendit. Po ashtu, shëndetësia mbetet një problem i madh, pavarësisht premtimeve për ta bërë atë falas. Në vend të përmirësimit, ajo është kthyer në një barrë të rëndë ekonomike për njerëzit. Ajo çka qeveria reklamon si falas, për qytetarët kushton më shtrenjtë.

Largimi masiv i shqiptarëve është një reflektim i thellë i mungesës së besimit në institucionet shtetërore dhe në mirëqeverisjen e vendit. Ky eksod nuk është thjesht një statistikë, por një tragjedi kombëtare që kërcënon të ardhmen e Shqipërisë.

Për të ndalur këtë trend shkatërrues, është i domosdoshme një reflektim i thellë dhe ndërhyrje urgjente për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin në sytë e qytetarëve shqiptarë. Ka nevojë për një opozitë të përgjegjshme që bashkohet në vlerat e së mirës dhe së ndershmes kundër klasës së vjetër dhe të korruptuar të tranzicionit si mënyra e vetme për të rikthyer besimin e njerëzve./ Nga Namir Lapardhaja

Exit mobile version