Paraja, simbol i vetëm i statusit social?

Nga Gëzim Tushi

Shoqëria shqiptare po kalon turbulenca të thella ekzistenciale, që kanë sjellë përmbysje apokaliptike të rregullave sociale dhe kodeve morale të dikurshme. Ajo është jo vetëm është moderne në kuptimin e mirë të fjalës, por tashmë është përfshirë nga shumë anomali sociale e fenomene që janë tipike dhe unike të postmodernitetit. Për pasojë, çfarëdo dëshirash të formulojmë apo kërkesa utopike të ëndërrojmë, shoqëria dhe jeta e njerëzve tanë është e mbërthyer dhe nuk mund të dalë nga traseja deterministe e ekonomisë së tregut dhe idolatrizimi i paimagjinueshëm i rolit, veçanërisht të rëndësishëm të parasë në jetën sociale dhe ndikimin e saj në ndërtimin e “statusit individual” të njeriut.

Është vetë natyra kompozicionale dhe funksionale e botës moderne, që ka në qendër të saj dhe vlerëson si prioritare, të gjitha marrëdhëniet që lidhen me paranë, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Tani në krahasim me shoqërinë e kaluar kolektiviste dhe “armiqësore me paranë”, gjërat kanë ndryshuar në favor të individualizmit dhe parasë, të cilat kanë prekur themelet e rendit moral dhe social të shoqërisë shqiptare. Ky realitet që është bërë dukuri universale, tashmë është i shfaqur “lakuriq” me të tërë gamën e plotë dhe diapazonin bashkëshoqërues të problemeve dhe pasojave, të natyrshme dhe të kundër natyrshme. Nuk duhet të jesh në rregull nga mendtë, ose duhet të jesh plotësisht jashtë realitetit, që të mos kuptosh realitetin e shfaqur në mënyrë banale të omnipotencës së parasë, të mos diktosh rolin e veçantë të saj në jetën e shoqërisë, në mënyrën e jetesës së njerëzve tanë.

Patjetër, ne pak kohë kemi që jemi përzier me “botën e parasë” dhe mbase nuk jemi deri në fund të qartë dhe të qetë për këtë fuqi gati “të mbinatyrshme” të saj në shfaqjen e problematikave të reja sociale në shoqërinë tonë. Asnjëherë në historinë e shoqërisë sonë, paraja nuk ka qenë në këtë apogje të vlerësimit pa kushte të fuqisë sociale të saj, në këtë sundim të përgjithshëm social si forcë gati e vetme, determinuese përballë të gjitha vlerave dhe fuqive të tjera. Askush nuk mund të ndihet i izoluar apo i shkëputur nga fuqia determinante e parasë dhe presionet e ekonomisë së tregut. Madje, deri në nivelin e frikshëm, kur sikurse po duket në shoqërinë shqiptare ka filluar të shfaqet sindroma e “sigurimit të simboleve të caktuara të statusit” politik, intelektual e social përmes ndërmjetësimit të parasë. Por sipas mendimit tim, nëse vlerësojmë me realizëm atë që po ndodh në terrenin social të shoqërisë shqiptare, të duket se paraja nga pikëpamja e “fuqisë instrumentale” nuk është më në pozitë të barabartë me forcën e pushtetit.

Pavarësisht disa defekteve që kemi si shoqëri apo të anomalive politike, që bëhen shkak që ende e bëjnë pushtetin me ca fuqi të tepërt, që më shumë se “ligj i kohës” është anomali e demokracisë shqiptare, nga ana tjetër duket qartë se “forca instrumentale” e parasë është më e madhe edhe se ajo e pushtetit. Kjo do të thotë që realitetin duhet ta shikojmë pak më ndryshe nga optika tradicionale e paritetit të barabartë të pushtetit dhe parasë. Duket se është në pozitë kritike formula që e bënte të pranueshme “ekuacionin tradicional” të pushtetit dhe parasë, sipas lidhjes klasike deterministe që “pushteti sjell para dhe paraja të jep pushtet”. Ne jetojmë në një shoqëri moderne, e cila ka rregullat dhe logjikën e saj funksionuese, në qendër të së cilës, duam apo nuk duam, është paraja si masë e vlerës, statusit, suksesit, dështimit, performancës pozitive apo e skarcitetit profesional. Sepse fuqia e parasë në shoqëri është bërë pothuaj “forcë më vete” e pavarur nga realiteti, madje ajo është në pozitë shumë të privilegjuar. Filozofi i kohës sonë, Jurgen Habermas, e konsideron paranë si “levë drejtuese” e ekonomisë, administratës dhe institucioneve të saj.

Por nuk mund të mos shikojmë që sundimi i parasë, konsiderimi saj si masë e vetme për të gjitha vlerat e njeriut, po krijon probleme sociale të thella, po sjell dukuri që janë jashtë orientimit dhe “kontrollit” të shoqërisë. Të gjithë filozofët dhe sociologët e modernitetit janë të shqetësuar, përpiqen të analizojnë situatën, të japin rekomandime sociale rregullatore, edhe pse e ndiejnë veten të pafuqishëm të ndikojnë në këtë agresion omnipotent të fuqisë kolosale dhe pushtetit të papërballueshëm të parasë mbi njeriun. Ndikimi kontradiktor i saj ka bërë që të hapen “hulli të thella në sipërfaqen e jetës shoqërore”. (Habermas). Natyrisht, nuk mund të mohohet fakti që paraja është bërë “ideal i përgjithshëm” i të gjithë njerëzve. Do të ishim të pavërtetë, nëse do të themi se ka në kohën tonë njerëz, që nuk e kanë të përqendruar vëmendjen te paraja, te realizimi me çdo kusht i qëllimeve financiare.

Dominimi gati absolut i parasë është një realitet që, me sa duket, nuk mund të frenohet në ekspansionin e vet të pandalshëm Madje, dimensionet e forcës dhe fuqisë së parasë duken “të përbindshme”. Siç po tregon realiteti, “beteja për para” që po udhëheq individualisht njeriun e ka bërë atë kaq të mbyllur e të izoluar nga të tjerët, saqë mund të thuhet se është fare e vështirë që të themi se në këtë shoqëri, përveç betejës për të siguruar para, do mund të ketë edhe hapësirë të mjaftueshme për “mirëkuptim dhe konsensus” njerëzor jashtë lidhjes dhe pavarësisht “botës së parasë”. Ajo e ka kapur edhe shoqërinë tonë “për fyti”. Fuqia e saj është shtrirë pa asnjë kufizim cep më cep të saj. Është e vështirë sot të kërkosh që shoqëria të jetë sociale, humane apo e virtytit. Paraja i ka “thyer në mes”, madje i ka dërrmuar jo vetëm këto, por tërë sistemin e vlerave që në të kaluarën kanë qenë shumë të pavarura nga paraja, apo që nuk kanë qarkulluar patjetër dhe domosdoshmërish nëpër “kanalet” e bardha e të zeza të saj. Shoqëria e vjetër ka marrë fund në thelbin e saj tradicionalist dhe në marrëdhëniet e kontrolluara e të disiplinuara me paranë, sepse gjithnjë e më shumë “tërmeti parasë” i ka shkërmoqur paradigmat e vjetra të shoqërisë së solidaritetit egalitarist, kornizat e asaj shoqërie që funksiononte pothuaj jashtë parasë (në kuptimin që ka sot).

Paraja ka sjellë paradigma të reja sociale e morale zëvendësuese, bazuar te “shoqëria e lakmisë”, e njeriut që gjithnjë e më shumë është me thelb egoist, individualist dhe lakmitar. Pushteti i parasë dhe “vrima e zezë” e egoizmit, lakmisë për para e pasuri, ka marrë nën zotërim të gjitha vlerat, kënaqësitë, masën e vlerësimeve humane dhe kënaqësisë njerëzore. Njerëzit janë dhënë së tepërmi pas saj, pse kënaqësia materiale është bërë qëllimi më i parë dhe më kryesor i jetës. Shoqëria është mbështjellë në “guaskën e materialitetit”, duke reduktuar tërë dimensionin e jetës njerëzore, në dispozicion të “shoqërisë së qejfit” dhe jetës së vënë tërësisht në dispozicion të kënaqësive personale, pa asnjë kontroll moral mbi të. Kjo situatë e ka zgjeruar epideminë dhe pandeminë e parasë, madje deri në nivele ekscentrike maksimale. Epidemia e parasë është produkt i faktit që në shoqërinë shqiptare është ulur këmbëkryq koncepti reduksionist i mirëqenies, i reduktuar tashmë totalisht vetëm në themelin e materialitetit të saj.

Padyshim, anët e mira të ideologjisë, filozofisë dhe mentalitetit të parasë si “masë e suksesit” dhe tregues i vlerësimit të “vitalitetit të njeriut” në treg, nuk mund të shërbejnë si maskë për të mbuluar anët e errëta të saj. Pas epidemisë së parasë po fshihen shumë plagë të rënda sociale të shoqërisë sonë, të shoqëruara me shumë deformime strukturore dhe sociale, prishje të thella të sistemit të vlerave, që pambarimisht në kohën e sotme nëpërkëmben nga tregu apo që nuk vlerësohen nga kanalet e saj, për shkak të mungesës së materialitetit të tyre të drejtpërdrejtë dhe imediat. Kjo ka bërë që të ndodhemi në atë situatë që, siç thotë filozofi spanjoll Ramoneda, “…në atë vërshim paturpësie që vë në lëvizje paraja, gjithçka banalizohet”. (Joseph Ramoneda, “Fundi i pasionit politik”, f. 85)

Jetojmë në një epokë në të cilën njeriu jeton përballë dhe bashkë me paradoksin e parasë, e cila në vend që t’i shërbejë, po e nënshtron, e “shtyp” me peshën e saj të madhe. Nuk ka dyshim që tashmë po bëhet ide sunduese, logjikë dominante, logjika e parasë, madje deri në atë dimension pushteti mbi njeriun, siç thotë filozofi Emmanuel Mounier, “që e nënshtron në vend që t’i shërbejë”. Por, fuqia e parasë në kohën tonë ka kaluar çdo kufi të arsyeshëm, sepse ajo është bërë i vetmi mjet universal që krijon, mundëson dhe ndërmjetëson realizimin e ndjenjave të kënaqësisë si e tillë. Në të vërtetë filozofët dhe njerëzit e mençur të kohëve të tjera, kanë qenë të sinqertë me veten dhe shoqërinë e tyre kur kanë thënë se paraja nga njëra anë është “ndërmjetësues i kënaqësive”, por që, sipas tyre, ajo nuk të sjell lumturinë, por ama është e sigurt se të ndihmon që ta arrish atë më lehtë. Në kohën tonë kënaqësitë kanë marrë karakter të deformuar, sepse shumica e njerëzve kanë mendimin materialist për kënaqësinë, e cila konsiderohet si “ngopje e dëshirës”.

E vetmja gjë që po bëhet dëshirë sunduese për të gjithë njerëzit që kanë mundësi, është vetëm zotërimi dhe akumulimi i parasë. Pa dyshim, askush nuk mund të mohojë vlerën universale të parasë në çdo shoqëri, veçanërisht në atë që është tërësisht e orientuar dhe e vendosur në binarët e ekonomisë së tregut. Është e vërtetë që pa para njeriu nuk realizon dot shumicën e nevojave, sidomos të atyre që janë me karakter material, që realizohen vetëm nëpërmjet tregut. Për fat të keq, duket se asgjë tjetër nuk ndiqet me më shumë pasion se sa paraja. Shoqëria është vënë në trekëndëshin “fatal” para, konsum, seks. Por të gjithë jemi dëshmitarë okularë dhe shoqërisht të shqetësuar, që paraja po shoqërohet me nihilimin dhe mungesën e vlerave, të cilat pavarësisht parasë, konsumit apo mirëqenies, po e bëjnë shoqërinë “sterile”. Obsedimi i “verbër” pas parasë, kthimi në qëllimin e vetëm të jetës, po bëhet sëmundje sociale e përhapur në shoqëri, e cila nën presionin e vetëm të parasë, ka filluar të neglizhojë, mohojë dhe ndërrojë vlerat morale, si “gomat e vjetra të një makine.

Artikulli paraprak“Partia Demokratike kuptohet se ka rënë pre e lidershipit të vjetër”/ Berisha e la Shqipërinë pa opozitë
Artikulli tjetërTrump: Lufta Rusi-Ukrainë ‘duhet të ndalet’