Paralajmërimi i Berishës për Ramën

Çipa kërcënoi Prokurorin me jetën e fëmijëve

Sali BERISHA

Çështja që më ka sjellë këtu, është do të thoja skandali më i madh i 25 viteve të fundit, zhvillimet rreth këtij skandali, pra skandali i përgjimeve. Nuk ka ndodhur kurrë në 25 vite që një kryeministër dhe një ministër i Brendshëm t’a shndërrojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në qendër përgjimi të kundërshtarëve të qeverisë, të Presidentit të Republikës, të diplomatëve të huaj, të artistëve, gazetarëve e publicistëve. Mendoj se ky është një krim i shëmtuar. Kemi të bëjmë me një shkelje të Kushtetutës dhe të të gjitha ligjeve të privatësisë të zyrtarëve, por dhe të qytetarëve shqiptarë, pasi janë me qindra qytetarë që janë regjistruar vetëm e vetëm për urrejtje personale të Ramës apo Saje qorrit. Po kaq kriminal është folloë up-i i kësaj çështje. Rama për të shpëtuar përgjegjësinë e tij nuk e ka për gjë, të përdorë Italinë mike dhe marrëdhëniet me Italinë si mburojë për veten e tij dhe ky përbën një akt shumë të rëndë, të dënueshëm dhe i them Edi Ramës se kurrë nuk do të shpëtosh nga ky skandal. Gabimi yt fatal është të përdorësh Italinë si mburojë. Sepse ky regjistrim është absolutisht vepër e jotja, e urdhëruar dhe e organizuar nga ti me mercenarët e t’u në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nëqoftëse ka një aferë minimale korruptive midis zyrtarëve të vegjël, kjo është për t’u hetuar nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare, por kjo nuk ka asnjë lidhje me një qëllim apo veprim të autoriteteve zyrtare italiane. Është vepër e shëmtuar e kreut të qeverisë shqiptare, një maniak i vërtetë i përgjimeve, që merrte tjetrin (Av Ngjelën) pas 18 viteve burg dhe e shndërronte burrin në çimkë në mënyrën më të shpërfytyruar vetëm e vetëm për të dëgjuar se çfarë do t’i thoja unë në një mbledhje atij. Imagjinoni se ku i shkon mendja e sëmurë e këtij njeriu për përgjimet, sa i pa përmbajtur është te përgjimet ky.
Së dyti, sulmi prej banditi shtetëror i Saje qorrit ndaj gjykatësit Aliaj është një akt tjetër kriminal, për të cilin ai duhet të bëhet përgjegjës deri më një. Njoftimet e djeshme se, Rama ka urdhëruar policinë të shqyrtojë vendimet gjyqësore të gjykatësit, në një kohë kur Kushtetuta ka përcaktime të qarta se kush duhet të shqyrtojë vendimet gjyqësore të gjykatësve, përbën aktin më të shëmtuar dhe më policesk të kësaj bande në qeveri që nuk njeh ligj e as Kushtetutë.
I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, i bëj thirrje Prokurorisë së Tiranës që të nisin menjëherë hetimet ndaj këtyre mercenarëve që shkelin Kushtetutën, ligjet, që pushtetërohen me pushtetin e institucioneve të tjera, duke kryer kështu një grusht shteti brenda shtetit për hakmarrje personale. Të nisin menjëherë hetimin kundër Ardian Cipës, këtij mercenari të pafytyrë që thërret në zyrë dhe kërcënon njësoj si Shullazi prokurorë të këtij vendi. Ardian Çipa është polic i lidhur kokë e këmbë me trafiqet dhe krimin. Eshtë njeriu që largoi nga Tirana Genti Xhixhon me makinën e tij në aeroport, është njeriu që bën pushime në Kubë me paratë e Genti Xhixhos. Është njeriu, që njëlloj si Shullazi që kapi rektorin në mes të sheshit, thërret në zyrë zyrtarë të drejtësisë dhe iu tregon familjet dhe fëmijët. Ndaj këtij mercenari duhet të veprojë me urgjencë ligji. Situata është alarmante.
I bëj thirrje Presidentit të ndjekë me angazhimin më maksimal deri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë para kësaj situate, ku banditë me dhe pa uniformë në qeveri duan të marrin pushtetet e institucioneve kushtetuese. Një situatë e tillë nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri dhe të gjitha këto bëhen se Rama ka përgjuar Presidentin, kreun e opozitës, kreun e Parlamentit, deputetë të opozitës e të vetë, gazetarë, analistë, artistë dhe qytetarë. Nuk mundet që ky manjak psikotik pas regjistrimeve të shpëtojë kësaj radhe nga akti anti-kushtetues që ka kryer.

Bashkim Tahiri plantacione droge në bregun e Vjosës

Së treti, Shqipërinë po e mbulon krimi. Unë çdo ditë kam dhënë të dhëna mbi arat e pafundme të kanabisit që shtrihen tashmë në të gjitha skajet e vendit, nga thellësitë e Alpeve, ku ka vetëm stane barinjsh dhe banditë që shkojnë e mbjellin kanabis, gjer në skajin më jugor të vendit. Shqipëria sot ka kanabis të mbjellë më shumë se ç’është mbjellë në 25 vite të marra së bashku. E tëra është absolutisht nën patronazhin e policisë së krimit. Bëra denoncimin e plantacionit në Berat, ishin 11 mijë rrënjë, shkuan dhe shkulën 4 mijë sa për të na hedhur hi syve, të tjerat janë aty, dhe shkarkuan 2 oficerë policie se kujtuan se më informuan ata. Por mua më informuan banorët dhe është gabim ajo që bënë, por i shkarkuan. Por plantacionet nuk i prekën, sepse ajo është e tëra e Saje qorrit dhe ka drejtorin garant aty.  Këtu kam plantacionet e bregut të Vjosës, ku qarkullon një emër aty, Bashkim Tahiri, i ati i Saje qorrit. Nuk preken ato. Shkoni në Peshkopi, toka jepet me 2-3 mijë euro hektari për t’u mbjellë kanabis. Shkoni në Shkodër, Mat, Mirditë. Është mbushur Shqipëria. Kanabis më shumë se 25 vite të marra së bashku.  Thirrja ime vendeve anëtare të BE, Europolit dhe Interpolit; të shpallin emergjencë çështjen e kanabisit në Shqipëri, pasi do të mbysi Europën në sasi kolosale të paimagjinueshme.

-Zoti Berisha, nga formulat e propozuara për përfaqësim proporcional, cilat sipas jush përveç vendeve të rezervuara mund të jetë për negociim mes palëve?
Nëse Kryeministri nuk pranon, por kërkon ta mbajë vetë vetingun atëherë ai e ka bllokuar reformën. Nuk ka njeri të ndershëm në këtë tokë që do të pranonte t’i jepte Ramës vetingun vetëm pa fragmentim.
– Mendoni se do të ketë rrjedhje votash nga PD?
Besoj se nuk do të ketë asnjë rrjedhje vote, unë kam shumë besim te demokratët. Dënoj me neverinë më të madhe përpjekjet e ulëta të Ramës si përpjekje primitive, të turpshme dhe destabilizuese për vendin. I them Ramës mos i impono opozitës të marrë vendime të tjera, të cilat do të kenë çmim të lartë.

– Djegie mandatesh?
Opozita do të marrë vendimet e saj. Do të marrë vendime të fuqishme. Opozita po thotë hajde ta votojmë, por ta votojmë sipas Venecias. Ky nuk do të Venecian, ky do Xhafën.

– Ambasadorët kanë quajtur opozitën jo fleksibël, kujtoj këtu reagimin e ambasadës amerikane…
Mendoj se opozita ka treguar fleksibilitetin më të madh, shumë më të madh se qeveria. Opozita në asnjë rast dhe merrni draftin e saj, nuk ka treguar as përpjekjen më të vogël për kapjen, përkundrazi ka dhënë kontribute reale për antikapjen.

– Po pse ambasadorët mendojnë që opozita nuk po tregohet fleksibël dhe cilat janë marrëdhëniet me ambasadorët?
Nëse opozitës i kërkohet të votojë sepse qeveria nuk pranon, kjo nuk është punë e opozitës. Asnjë nga ambasadorët dhe askërkush nuk mund të ketë kundërshtira për vendet e rezervuara. Vendet e rezervuara i kundërshton një njeri në Shqipëri dhe ky është Edi Rama.

– Ministri i Jashtëm gjerman, ambasadorët e SHBA dhe BE u shprehën pro draftit që kaloi e u miratua nen për nen pa opozitën në komisionin e posaçëm. A është gati opozita të përballet me komunitetin ndërkombëtar?
E vërteta është që ministri i Jashtëm gjerman u shpreh qartësisht për rolin e opozitës.

– …u shpreh qartë dhe për draftin zyrtar…
Po ne një nen kemi kundërshtuar. Ne i kemi miratuar, ne i kemi kapërcyer vështirësitë, ne kemi bërë lëshime, por ne nuk pranojmë kapjen. Për fat të mirë kryetari i opozitës pati mundësi t’ja shpjegojë qartësisht dhe jam i sigurtë që ministri me atë prononcim të ekuilibruar që pati, qeveria duhet të bëjë të vetën tha. Opozita, në të gjitha takimet që ka është plotësisht e mbështetur në qëndrimet e saj. Nuk ka njeri që mund të konceptojë që unë e pranoj Venecian, 88-tën për dy institucione, por nuk e pranoj për të tjerat. Kjo është si të thuash që këtë unë e pranoj sa për sy e faqe, por në thelb unë s’e pranoj për ta kapur, kjo në thelb është kapje. Opozita s’po thotë gjë, por po thotë që po e voton, natyrisht jo për kapjen. Ambasadorët janë të mirëpritur të bindin Ramën të votojë Venecian.

– Çfarë leverdie kanë ambasadorët të bëjnë Ramën edhe prokuror dhe gjyqtar?
Në radhë të parë kjo që them unë është me dokumente. Këtu kapja është e denoncuar nga Venecia në të gjitha draftet dhe ato nuk janë shkruajtur nga ne, por nga qeveria. Është Venecia që ka denoncuar kapjen. Përsa i përket njohurive juridike Venecia është mbi të gjithë, mbi ambasadorët, por dhe mbi qeveritë. Të mos kemi iluzione për këtë. Ka sot një debat të madh me një vend të BE dhe Komisionin Europian, në mes është Venecia. Venecian në fillim e ka zgjedhur hapësira e OSBE tani e ka marrë Këshilli i Europës si think tank-un më kryesor dhe të vetëm të ekspertizës ligjore. Kështu që ajo që thotë Venecia nuk mund të superohet nga askërkush. Sekretari Kerry në deklaratën e tij iu referua Komisionit të Venecias. Ky komision, kundër Berishës mund të ketë gjykuar kushedi sa herë, por ai s’ka të zëvendësuar. Ai është që duhet të pyetet dhe çfarë thotë ai do të bëhet. Kjo nëse do të ndjekësh rregullat e demokracisë, nëse do pastaj të shkëputesh do të bëhesh si Koreja e Veriut.

– Duket sikur ka një kosto për PD dhe për opozitën mosvotimi në Parlament i Reformës në Drejtësi edhe për procesin e integrimit. Duket se opozita po bllokon sërish provesin e integrimit?
Absolutisht jo, është krejt e kundërta. Nëse Rama thoshte se nuk i votonte ligjet pasi kishte dhënë konsensusin, ne po i themi sille ta votojmë. Po problemi është se mbi një vit rresht është se e gjithë propaganda e mediave të kontrolluara nga Rama mashtronte shqiptarët se opozita nuk donte. Tani këta s’dinë ç’të bëjnë me gënjeshtrat e tyre njëvjeçare. Se kanë thënë një milion e pesëqind mijë herë që opozita nuk i voton. Tani që opozita thotë se do t’i votojë ata vazhdojnë të thonë se opozita nuk do t’i votojë. Ne votojmë që nesër reformën, por nuk votojmë kurrë reformën dhe drejtësinë në dorë të Kryeministrit. Ne nuk jemi dakord që vetingu të jetë njëpartiake.

– 94 vota nuk janë një parti zoti Berisha…
Demokracia ka disa shtylla, por një nga shtyllat më kryesore që kur filloi demokracia moderne është Kushtetuta dhe kushtetutshmëria, për atë që do të respektojë demokracinë, është kushti më themelor. Nëse ti me 94 vota voton dhe mendon se tani të erdhi koha të fshish çdo gjë, por Kushtetuta është kontratë, atë s’e fshin dot edhe 100 vota po të marrësh. Ti nuk je votuar për të rrëzuar Kushtetutën, ti je votuar për një X apo Y problem, prandaj kjo nuk qëndron fare. Ne po luftojmë. Dhe që nga dita e parë deri më sot opozita ka bërë betejën më parimore në historinë e saj, të suksesshme. Nuk e çonte në Venecia, Fatmir Xhafa, nuk firmoste. I bënte presion të jashtëzakonshëm Parlamentit të mos e çonte. Nuk firmoste shkresën. Venecia zbuloi një draft me qëllime nga më të zezat. Ndaj dhe këtu bashkohen që të gjithë tek Venecia. E vërteta është se ambasadorët kanë insistuar të marrin për bazë draftin final të Venecias. Ne e kemi marrë. Ne kemi mjaft vërejtje për projektin, por për një interes më madhor, ne kemi thënë që kapjen nuk mund ta pranojmë. Do Rama që të mos e kapë, si të lirojë ato të dy të thotë nesër edhe për ato dy të tjerat dhe të shkojmë ta votojmë e t’i hapim rrugë Shqipërisë. Ne të mos bëhemi shkak, siç bëri Rama me Fylen. Se që të jem i sinqertë edhe po ta votojmë nuk dihet nëse na e japin atë, por të paktën ne të mos bëhemi shkak.

– A ndiheni më komod me Ilir Metën si ndërmjetës?
Politika është politikë. Unë mendoj se ai luajti një rol të qartë pozitiv dhe unë jam i sigurtë se ai nuk luajti rol pozitiv për PD, por ai luajti rol pozitiv për pozicionin që ka dhe për interesat e partisë së tij. Por roli i tij është qartësisht pozitiv. Ai po përpiqet të përdorë atë pushtet që ka për të votuar reformën.

– Ka një lloj ndjenje me Metën…?
Jo nuk ka. Nuk mund të jetë njeriu fondamentalist si ky që del e thotë vijë të kuqe. Si mund t’i thuash opozitës vijë të kuqe, kur opozita të thotë hajde votojmë. Ky është një varrmihës i konsensusit. Ky mendon se mund ta bëjë atë duke e bazuar në akuza e mashtrime. Opozita ka lidhjet e veta dhe sigurisht që zërin e saj e çon në çdo problem, por opozita do që ta votojë. Por për të sqaruar situatën. Para tre ditësh isha në Berlin. Miqtë e mi më thanë se: – na janë thënë se janë 10 çështje që nuk i pranoni, sot përsëri në telefon një njeri shumë i rëndësishëm më tha të njëjtën gjë. Kjo nuk mund të bëhet. Europa e Perëndimi janë transparent. Ti vërtet mund të gënjesh, po të dalin një nga një dhe të kthehen në bumerang.

– Janë botuar disa pasazhe nga libri i Servet Pëllumbit …?
Njeriu nuk di të mbajë pozicionin e vet. Servet Pëllumbi ka një histori të dhembshme, shumë të dhembshme. Ai nuk do të rrijë i qetë. Është sovjetik këmbë e krye dhe është i sigurt në dosjen e agjentëve të Rusisë në vendet lindore, është sovjetik. Unë e kam dëgjuar dhe më vjen keq që një njeri me vrerin e një sigurimi të vjetër, të përbaltë gjëra në mënyrë shumë të padenjë. Nuk qëndron në pozicionin e tij. Është e vërtetë që me Fatos Nanon kemi ngrënë një darkë në Trieste, por të paktën aty kanë qenë edhe katër vetë të tjerë, Aleksandër Meksi, nga socialistët dikush tjetër dhe i ndjeri Mentor Çoku. Nuk është bërë asnjë bisedë për ndarje pushteti, për faktin e vetëm se unë absolutisht kurrë pazare paraprake nuk kam bërë nga dita e parë deri në ditën e fundit. Asnjëherë. Ka qenë një parim i imi. Kemi ngrënë një darkë. Më Fatos Nanon jam njohur një herë më parë. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët aty nga nëntori i vitit ’90 na kishte ftuar Spiro Dede si kryeredaktor i “Zërit të Popullit”. Ky ka qenë takimi i parë me Fatos Nanon. Ai kishte një CV shumë interesante për mbrapshtira në shkollë.

Artikulli paraprakBasha: Rekomandimi 88 i Venecias i panegociueshëm dhe i plotë
Artikulli tjetërDosja e DEA-s, Elvis Rroshi pjesë e hetimit ndërkontinental për trafik droge