Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu ka paralajmëruar se, sonte në darkë do bëjnë publike se kush janë hajdutët e pronave në Shqipëri. Balliu e bëri deklaratën nga Prokuroria e Tiranës ku ishte thërritur për akuzat e ngritura ndaj tij.
Balliu po fliste për projektin e Unazës së Madhe, teksa tha se sot në darkë do të publikojë prova dhe dokumenta që sipas tij faktojnë se kush janë hajdutët e pronave.
“Sot në darkë do të shihni disa prova dhe dokumenta se kush janë hajdutët e pronave në Shqipëri. Sot në darkë, shumë shpejt do i shihni. Do ua tregoj unë. Qeveria ka gënjyer gjatë gjithë kohës dhe bregun e dytë dhe bregun e tretë.
Do rrafshohen të gjitha shtëpitë. Aty ka një zgjerim për të ndërtuar kullat këta oligarkë”, tha Balliu para gazetarëve pa preferuar të japë shumë detaje.
Nga prokuroria e Tiranës, avokati i tij Genc Gjokutaj tha se për Balliun nuk do ketë dënim, pasi nuk ka prova.
“Nuk ka prova dhe nuk ka për të pasur dënim, e sigurt. Dërgimi në gjyq bëhet kur është faza finale tek Astiri. Po caktojnë data gjyqesh. Kjo është një formë presioni.
Nuk mund të marrësh të pandehur një grup të tërë, kur ata janë në të drejtën e tyre. Kjo përplasje e policisë ka qenë e evitueshme. Ky merak do të shuhet shumë shpejt”, u shpreh Gjokutaj.