Apeli i UEFA-s ka urdhëruar të premten mbylljen e pjesshme të stadiumit “Santiago Bernabéu” për një periudhë prove dyvjeçare për shkak të sjelljes diskriminuese të tifozëve të Realit të Madridit gjatë ndeshjes së fundit të Ligës së Kampionëve kundër Mançester Sitit.
Sanksioni, në zbatim të nenit 14 (2) të Rregullores Disiplinore të UEFA-s, dikton mbylljen e të paktën 500 vendeve në fushë në ndeshjen e radhës që Reali luan në shtëpi në kompeticionet evropiane dhe vendos një periudhë prove prej dy vitesh nga data e djeshme.
Vendimi përfshin gjithashtu një gjobë prej 30 mijë eurosh për klubin e bardhë, për sjelljen diskriminuese të tifozëve të tij në ndeshjen e luajtur më 19 shkurt, kryesisht ofendimet kundër trajnerit të Mançester Sitit, Pep Guardiola.